Veliaj te “Jeronim de Rada”: Opozita përdor prindërit e fëmijëve për politikë

schedule14:57 - 13 Shtator, 2020

schedule 14:57 - 13 Shtator, 2020

Vetëm një ditë para nisjes së vitit të ri mësimor ka përfunduar rikonstruksioni i shkollës “Jeronim De Rada”  e cila ka rreth 1100 nxënës.

Financimi i kësaj shkolle është realizuar nga shteti i Katarit në shumën e 1 miliard dollarëve.

Kryebashkiaku Erjon Veliaj theksoi se  Katari do të financojë edhe 2  shkolla të tjera dhe një kopësht në vlerën e 5 miliard dollarëve.

Në ceremoninë e përurimit, ku morën pjesë edhe shumë ish-nxënës të saj, si këngëtarja Irma Libohova, ish ministrja Mimi Kodheli, deputeti Ervin Bushati.

“Dje nënshkruam një marrëveshje 5 milion dollarë për ndërtimin e dy shkollave të reja, “Lasgush Poradeci” në Kombinat dhe “1 Qershori” në Pezë, si dhe Kopshtin 42 në zonën e ish-Bllokut. Nuk ka lajm më të mirë se të ndërtosh dhe hapësh shkolla”, tha Veliaj.

Ai theksoi se ata që sot kritikojnë, kur drejtonin Bashkinë e Tiranës, treguan se nuk ishin në gjendje të ndërtonin qoftë edhe një shkollë të vetme.

“Për ata që nuk bënë asnjë shkollë në Tiranë dua t’ju them, duroni dhe do të shikoni një tjetër mrekulli te shkolla “Sami Frashëri”, si kjo këtu, për të cilën na ndihmuan miqtë e Katarit. “Sami Frashëri” do të jetë dy herë më e madhe, dy herë më e fortë dhe dy herë më jetëgjatë dhe shumëfish, e disa herë më e bukur”, u shpreh kryebashkiaku. Teksa solli disa shembuj të diskreditimit të opozitës para qytetarëve, në përpjekje për të shfrytëzuar fëmijët për politikë, Veliaj siguroi se edhe Kopshti nr. 42 do të ndërtohet shumë herë më i mirë. “Kam parasysh konferencën për shtyp të atij që nuk bëri asnjë shkollë në Tiranë, kur tha se Kopshti 42 do të bëhet pallat. Ne, sigurisht, nuk harxhojmë kohë me ta, por dje e patë që deklaruam financimin e Kopshtit 42 me miqtë e Katarit.

Pra, përdorimi i fëmijëve, i kopshtit, i çerdhes, si mjete për të bërë politikë, nga ata që tashmë janë diskredituar, flet shumë. Kështu thanë edhe për fushën në Laprakë, kështu thanë edhe për “7 xhuxhat”, që u bë kënd lodrash, kështu thanë edhe për lodrat te Liqeni, edhe për Parkun Rinia. Pyetja ime për ta është: A nuk u lodhët?! Ne do t’i zhgënjejmë me ndërtimin e një super kopshti nr. 42, me një super shkollë në Pezë dhe me një super shkollë në Kombinat”, deklaroi Veliaj.

Kryetari i Bashkisë u ndal edhe tek shkolla e Pezë Helmësit, teksa sqaroi se ajo do të rikonstruktohet plotësisht, ndërsa fëmijët janë sistemuar përkohësisht në një shkollë private, me kushte shumë të mirë dhe mësim me një turn. Ai i kërkoi opozitës që të mos përdorë merakun e prindërve për kauzat e saj politike, ndërsa i siguroi se do të zhgënjehen më 25 prill. Sipas tij, politika e shëmtuar, me merakun e një prindi të sinqertë, është një politikë pa të ardhme.

Për këdo që mundohet të përdorë merakun e prindërve, i them se do zhgënjehen shumë, jo vetëm më 25 prill, por do ta zhgënjejmë përditë, deri në 25 prill, kur do të vijë edhe zhgënjimi final i atyre që mundohen të përdorin meraqe prindërore për kauzat politike. Shkolla në Pezë Helmës do të hapet nesër në shkollën private “Vëllezërit Kajtazi”. Ata nuk e përdorin më godinën sepse shkolla e tyre ka pësuar një transformim,kështu që atë ndërtesë do ta përdorim për nxënësit e Pezë Helmësit. Kur gjërat transformohen dhe produkti duket, kupton se politika e shëmtuar, me merakun e një prindi të sinqertë, me merakun e një fëmije, është një politikë që nuk ka të ardhme. Të ardhme ka politika e drejtë, pranimi i së vërtetës, pranimi i sfidave, ndarja e punës,pastaj çuarja e punës deri në fund, për të patur histori suksesi si sot me shkollën ‘Jeronim de Rada’”, tha ai. g.v/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!