Rehabilitimi i “Lanës”/ Bashkia e Tiranës prezantoi projektin për transformimin e lumit

schedule12:35 - 31 Korrik, 2024

schedule 12:35 - 31 Korrik, 2024

Lumi i Lanës nga pallati me shigjeta deri tek kryqëzimi me rrugën “Teodor Keko” do  të transformohet. Bashkia e Tiranës prezantoi projektin.

Sipas kryebashkiakut Erion Veliaj ai do të jetë vijim i punës së nisur nga  kryeministri Edi Rama kur drejtonte bashkinë.

“Transformimi i lumit të Lanës nga administrata e Edi Ramës dhe Bashkisë së Tiranës në vitet 2000-2011 i referohet një epoke që lidhet me hapjen e një kapitulli të ri të qytetit. I cili vijoi me transformimin e Lanës në pjesën e lindore, nga materniteti i ri “Koço Gliozheni” deri te rreth rrotullimi i Shkozës. Kush ka parë transformimin aty, mjafton të hapë buletinet e imobiliareve për të kuptuar se vlera e pronës është rritur nga 70 deri në 250%. Ajo ishte një zonë, që konsiderohej si fundi i botës. Kurse sot është bërë jo vetëm pjesë e Tiranës qendrore, por është zhvilluar infrastruktura, bimësia, është kthyer në një linjë ekspres për autobusët dhe biçikletat. Kush jeton në Shkozë vjen për punë minutash në qendër”.

317 familjet që preken nga ky projekt përfshirë dhe ato pa dokumente mbi pronësinë e banesës  sipas kryebashkiakut  do të përfitojnë tre vite bonus qiraje dhe më pas shtëpi që do të ndërtohen nga bashkia për këtë qëllim.

Veliaj i bëri thirrje banorëve  për të bashkëpunuar dhe për të mos  u përdorur nga politika.

“Mos u përdorni mish për top! Kush bashkëpunon i pari, do futet në shtëpi i pari. Kush shkon t’i vërë biberonin llasticave që humbasin me 60 mijë vota dhe nuk dinë ta kapërcejnë humbjen, atëherë sigurisht do futen të fundit.“

Kryebashkiaku i Tiranës kishte dhe një mesazh për opozitën.

“Mos u përfshini në këtë histori! Ndonjëherë, ndodh që i shikojmë investimet si një ububu e madhe. Por, duhet ta pranojmë se kjo ububu e madhe nuk vjen nga njerëzit e thjeshtë. Nuk ka njeri që nuk ka dalë një herë nga Shqipëria, që të shikojë se si është zhvilluar bota. Kjo problematikë ndodh sepse në investime përfshihet politika”.

Projekti  për Lanën përfshinë shtrat të ri për lumin,  zgjatjen e dy bulevardeve kryesore “Gjergj Fishta” dhe “Bajram Curri”, ndërtimin e dy urave mbi lanë, korsi të dedikuara për biçikleta, trotuare  dhe pistë vrapi.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!