Veliaj prezanton listën e këshilltarëve në Kamëz: E kemi kokën lart! Opozita përfaqësohet nga një ‘non grata’, që nuk kalon dot Rinasin

schedule19:18 - 6 Prill, 2023

schedule 19:18 - 6 Prill, 2023

Kryetari i Partisë Socialiste të Tiranës, njëherësh drejtues politik i PS për Qarkun, Erion Veliaj, ka prezantuar sot kandidatët për anëtarë të Këshillit Bashkiak të Kamzës. Së bashku, me deputeten dhe kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla, dhe kryetarin e Bashkisë së Kamzës, Rakip Suli, Veliaj u bëri thirrje qytetarëve të votojnë listën e propozuar nga PS.

Veliaj tha se në këtë fushatë Partia Socialiste vjen me kokën lart për gjithë punët e mira që ka bërë.

“Kjo është një nga fushatat më të lehta, jo se nuk kemi kundërshtar, jo se e kemi fitoren në xhep, jo se e kemi varur xhaketën, përkundrazi unë besoj se duhet të luftojmë për çdo votë, por fushata bëhet pak më e lehtë kur e ke kokën lart, kur nuk ke komplekse. Kush e ka fushatën më të lehtë, ata që të thonë përfaqësoj Partinë Socialiste dhe Edi Ramën, apo ata që thonë përfaqësoj një ‘non grata’, që nuk e kalon dot Rinasin? Kush e ka fushatën pak më të lehtë dhe punën pak më të kollajtë, ai që e mban kokën lart dhe që thotë ne përfaqësojmë një forcë politike që ka bërë kaq shkolla, që ka bërë kaq çerdhe, ka bërë kaq kopshte, ka mbjellë kaq pemë, ka bërë kaq parqe apo ata që ikën nga detyra për 4 vjet? Ne nuk jemi këtu për të bërë premtime, jemi këtu për të treguar se premtimet që bëmë, i mbajtëm”, u shpreh Veliaj.

Ai gjithashtu kujtoi se ata që vijnë sot për të kërkuar votën e demokratëve, 4 vite më parë i lanë pa përfaqësim, ndërsa PS nuk e braktis kurrë detyrën.

“Nëse një nxënës katër vjet nuk vjen në mësim, a mund të marrë diplomë në shkollë? Në asnjë mënyrë! Për dikë që është infermier, ose mjek, nëse e dorëzon përparësen e bardhë për katër vjet, a mund të rikthehet në Kamëz dhe ta veshë sërish dhe të thotë më provoni prapë? Si ka mundësi që vjen një pale, e cila 4 vjet ikën nga Parlamenti, ikën nga Këshilli Bashkiak, refuzon të jetë pjesë e kësaj pune e kërkon sërish votën tuaj? Ne këtu në Kamëz kemi qenë 30 vite në opozitë, por asnjëherë nuk e kemi braktisur detyrën e përfaqësimit të votave për opozitën,” deklaroi më tej Veliaj./abcneww.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!