Veliaj prezanton kandidatët për Këshillin Bashkiak të Tiranës: Kush voton një socialist, voton dikë që nuk e braktis detyrën kurrë

schedule17:56 - 5 Prill, 2023

schedule 17:56 - 5 Prill, 2023

Kryetari i Partisë Socialiste të Tiranës dhe drejtuesi politik i Qarkut, Erion Veliaj prezantoi sot zyrtarisht kandidatët e rinj për Këshillin Bashkiak të Tiranës. Në fjalën e mbajtur në Teatrin Veror të Parkut të Liqenit, ai u shpreh se kush e braktisi detyrën 4 vjet më parë nuk e meriton votën e qytetarëve të Tiranës.

“Pas 4 vitesh kjo do të jetë hera e parë që opozita do të vijë në Këshill Bashkiak dhe kjo është dicka e mirë. Por, kam një pyetje: Nëse një ushtarak për 4 vite nuk e vesh uniformën e tij, a ka shans të hyjë prapë në ushtri? Nëse një mjek për 4 vite e hedh bluzën e bardhë, a ka shanse të rikthehet në dëtyrë? Nëse një fëmijë i vogël nuk shkon 4 vjet në shkollë, a e kalon dot klasën? Si ka mundësi që jetojmë sot në një vend, ku ka një standard shumë të lartë për një oficer dhe një ushtarak, ku ka një standard shumë të lartë për një mjek dhe një infermier, ku ka një standard shumë të lartë për një mësuese dhe një edukatore, ku ka një standard shumë të lartë për një fëmijë të vogël, dhe ndërkohë kemi kaq standard të ulët për politikën? Ata që u larguan për 4 vjet, sot vijnë me rrena të reja, për një tram të ri, me çudira të reja, por në fakt e braktisën detyrën për 4 vjet,” u shpreh Veliaj.

Fushata e Partisë Socialiste tha Veliaj, nuk mbështetet në sponsorizime Facebook-u e as në gënjeshtra si ajo e tramit, por në punë konkrete dhe angazhime të vërteta.

“Këto që kaluam ishin 4 vitet më të vështira, patëm dy tërmete, një pandemi, dhe inflacionin e luftës, por di t’ju them se pavarësisht bindjes që keni, pavarësisht si keni votuar, pavarësisht çfarë tesere keni, kush voton një socialist, voton dikë që nuk e braktis detyrën kurrë, nuk e lë kurrë vendin e punës. Kjo parti, partia jonë, ka qenë edhe në opozitë, në një opozitë shumë të vështirë, me sakrifica të mëdha, një opozitë kur vriteshin njerëz në bulevard. Sot na duken sikur kanë ndodhur në mesjetë, në një vend tjetër, por kurrë s’e kemi braktisur detyrën. Ndaj, garancia është jo vetëm për të majtët, por edhe për të gjithë ata qytetarë të mirë, që ndoshta deri dje nuk i kanë ndarë bindjet me ne, ky është momenti për të menduar për votën, jo vetëm për kryetarin, por sidomos për votën për Këshillin Bashkiak, si një kontratë me dikë, një djalë ose një vajzë, një burrë ose një grua, që pavarësisht se janë në Partinë Socialiste, janë super qytetarë që nuk e braktisin kurrë detyrën e tyre,” deklaroi kryetari i PS së Tiranës Erion Veliaj./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!