Analisti Skënder Minxhozi thotë se për ankimin e Erion Veliajt, lidhur me shkarkimin nga posti i kryebashkiakut të Tiranës, është krijuar një përplasje institucionale e panevojshme.
Në emisionin “Real Story” në ABC News, Minxhozi u shpreh se vendimi i presidentit Bajram Begaj për dekretimin e zgjedhjeve më 9 nëntor, teksa Gjykata Kushtetuese ka caktuar relatore për ankimimin e Veliajt, vendos në pikëpyetje vetë imazhin dhe reputacionin e gjykatës.
“Nuk gjykohet Erion Veliaj, por gjykohet mbi fatin e tij personal, sovraniteti, pavarësia, imazhi dhe nderi i Gjykatës më të lartë që kemi në vend. Gjykata Kushtetuese nuk ka shpallur moskompetencë për padinë e Veliajt. Ka caktuar relatoren. Është vënë mekanizmi në lëvizje. Unë mendoj se këtu kemi një ngecje të rëndë procedurale dhe përplasje të panevojshme, ku presidenti futet dhe tjetërson objektin e ankimimit dhe tjetërson edhe nenin. Unë nuk e besoj që kryetari i bashkisë më të madhe në vend duhet të shkojë për mungesë në punë te Gjykata Kushtetuese. Unë ndjej që në këto momente, imazhi dhe reputacioni i Gjykatës Kushtetuese po vihet në pikëpyetje nga institucione të shtetit, që po ia prekin direkt dhe indirekt këtë sovranitet që duhet të ketë. Si mund të futet presidenti dhe të dekretojë zgjedhjet. Presidenti kishte një rol dhe ka një rol. Çfarë i mbetet presidentit nëse Kushtetuesja pranon edhe ankimimin e dytë të Veliajt”, theksoi ai./abcnews.al

