Veliaj: Nuk ka rëndësi pjesëmarrja e opozitës në zgjedhje

schedule15:31 - 3 Maj, 2019

schedule 15:31 - 3 Maj, 2019

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj është shprehur i sigurtë në fitoren e mandatit të tij të dytë.

Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak ai kërkoi sa më tepër angazhim për të fituar edhe shumicën në këtë këshill, me qëllim që asnjë projekt të mos mund të bllokohet nga opozita.

Thotë se ka ende shumë punë për të bërë në Tiranë e për këtë i duhet një mandat i dytë, jo vetëm si qytetarë i parë, por edhe për të patur shumicën në këshillin bashkiak.

“Në mandatin e ardhshëm, jam i bindur do të bëjmë punë akoma më të mira dhe do të mirëpresim në këtë këshill bashkiak, edhe pothuajse po aq anëtarë të rinj, që besojmë do t’i bëjnë nder këtij qyteti dhe punës që është nisur këtu. Siç e thashë ne do të luftojmë për çdo mandat, për të 61 mandatet”, tha ai.

Nuk e përfill vendimin e opozitës për të bojkotuar zgjedhjet e as pjesëmarrjen e partive të vogla në garë. Për kryebashkiakun Erion Veliaj e rëndësishme është që të fitohen zgjedhjet në 30 qershor.

“Nëse opozita vazhdon të refuzojë të marrin pjesë apo të sjellë një alternativë për Tiranën përveçse të bllokojë projektet, ky është vendimi i tyre. Unë e kam thënë gjithmonë. Ne garën e kemi me veten tonë. Çdo vit duhet të jemi më mirë se viti që ishim dhe në mandatin tjetër, do të duhet të jemi më mirë, se sa mandatin që lamë pas.”, deklaroi Veliaj.

Në mbledhjen e këshillit bashkiak kryetari i bashkisë njofton se ka edhe një listë rezervë për kandidatët e ardhshëm të këtij këshilli.

“Ne të kemi edhe një listë rezervë ku duam të promovojmë dhe shumë nga të rinjtë dhe të rejat tanë, për t’u siguruar që Tirana e ka një këshill bashkiak aktiv, me një shumicë që na mundëson të marrim vendime të rëndësishme, të ecim shpejt dhe të transformomë Tiranën si këto katër vite, ju garantoj më e mira është përpara”, theksoi ai.

E duke hedhur vështrimin drejt, kryebashiaku Veliaj tha se projektet për kryeqytetin do të realizohen falë edhe bashkëpunimit me qytetarët dhe për këtë mori shembull tre familje që preken nga projekti i bulevardit të ri të cilët kanë pranuar bonusin e qirasë.

Një tjetër vendim i marrë nga Këshilli Bashkiak i Tiranës është shndërrimi në muze i shtëpisë së shkrimtarit Ismail Kadare, një projekt që do të përfshijë edhe shtëpinë e e një tjetër njeriu të njohur të letrave shqipe, Dritëro Agolli./ABC News Albania 24/7