Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj dhe kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, zhvilluan një takim me komunitetin librazhdiot të Kavajës dhe Rrogozhinës. Në qytetin e Kavajës, së bashku me disa demokratë, iu bashkua Partisë Socialiste edhe ish-futbollisti i njohur i kombëtares, Andi Lila, dikur edhe i propozuar si kandidat i PD për deputet.
Veliaj tha se demokratët po e braktisin masivisht partinë e tyre për shkak të Sali Berishës dhe këtë e treguan në hapjen e fushatës në Stadiumin “Arena Kombëtare”.
“E patë Saliun te stadiumi “Arena Kombëtare”? Demokratët kishin vite që dëgjonin “Arena e krimit”, “Arena e Ndragheta-s”, “Arena e mafies”, “Arena e drogës”, arena e të gjithë poshtërsive të ndryshme… Pastaj, iu duhej arena, se duhej të bënin një aktivitet dhe në atë moment, Saliu tha: “Arena e lirisë”, “Arena e demokracisë”, “Arena e fitores”! Por, respekt për demokratët. Jo vetëm për demokratë si Andi Lila, si Çiljeta, Ermal Mamaqi, e shumë të tjerë që na janë bashkuar, por respekt për çdo demokrat të thjeshtë. Sepse pasi panë Saliun që e ndërroi pllakën, e lanë tek pullë në mes të arenës, vetëm, me 22 mijë karrige bosh. Faleminderit dhe respekt, se e kanë kuptuar që nuk është me të sharë, është me të punuar; nuk është me të mallkuar, është duke përveshur mëngët dhe duke ecur përpara,” u shpreh Veliaj.
Ai tha se Sali Berisha pasi u kthye në makthin e tre brezave, tashmë kërkon të shkatërrojë edhe të ardhmen e fëmijëve tanë. “Saliu 80 vjeç, hëngri gjeneratën e gjithë gjyshërve tanë, se ai ishte edhe në sistemin komunist, si sekretar partie. Mori gjeneratën e prindërve tanë në vitet ‘90. Mori edhe gjeneratën tonë. Të gjithë këtu jemi bërë me fëmijë dhe vazhdon akoma Saliu. U bë gjenerata e pestë që merret me Sali Berishën, që do ta çojë mbrapa vendin. Ne e provuam kundër Amerikës 45 vjet. Nëse ka një njeri që do të luftojë kundër Amerikës do duhet të shikojë fatin e Saliut. Sot secili prej nesh fluturon ku të dojë, por Sali Berisha nuk del dot përtej portit dhe aeroportit. Ai thotë: “meqë unë jetoj akoma i izoluar, u izolofshin të gjithë”. Ndërkohë, ne themi: “Asnjë njeri nuk meriton të izolohet prej Saliut. Asnjë njeri nuk meriton të ketë fatin e një fuksi prej Ilir Metës dhe asnjë njeri nuk duhet ta hedhë dëm votën e vet dhe ta lërë qytetin të pistë, të pandriçuar dhe të pa investuar për qejfin e Ilirit dhe Saliut,” vijoi ai.
Edhe kreu i grupit socialist, Taulant Balla tha se Sali Berishës i duhen votat vetëm për t’i dalë kundër Amerikës dhe ftoi çdo demokrat të kuptojë që interesi i tij dhe i Ilir Metës nuk janë qytetarët. “Thotë dikush: ‘Jam demokrat. Kam 32 vjet që votoj për Partinë Demokratike’. Po, shumë mirë ke bërë, por është koha të mos t’ia japësh ti votën, mos u bëj ti fajtor t’i japësh votën Ilir Metës. Sepse Ilir Meta dhe Sali Berisha janë bërë bashkë, jo se duan të bëjnë ndonjë punë të mirë për Rrogozhinën, jo se duan të bëjnë ndonjë punë të mirë për Kavajën, harrojeni. Nuk u duhet fare bashkia atyre. Harrojeni se kanë ndonjë interes ata për këta dy kandidatët. Këta janë dy lolo që i kanë gjetur rrugës për t’i përdorur kësaj radhe. Këtyre nuk iu duhet bashkia. Këta duan ca vota t’i dalin Amerikës, t’i thonë: “shiko, se jemi edhe ne këtu, na merr edhe ne në konsideratë”. Saliu do ca vota për të hequr vulën. Nuk ia heq njeri atë “non grata-n” në ballë!” tha Balla./abcnews.al