Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj mori pjesë në takimin e III-të të Unionit të Bashkive Shqiptare. Veliaj tha se për të intensifikuar marrëdhëniet mes pjesëmarrësve në Tiranë shumë shpejt do të ngrihet Sekretaritai i Unionit të Bashkive.
Tirana dhe shtatë qytete të tjera anëtare të Unionit të Bashkive Shqiptare angazhohen për të marrë hapa të mëtejshëm me qellim ruajtjen e mjedisit dhe përmirësimin e cilësisë së ajrit.
Kryebashkiaku i kryeqytetit Erion Veliaj mori pjesë në takimin e tretë të këtij Unioni ku të pranishëm ishin dhe përfaqësues të Prishtinës, Preshevës, Tetovës, Ulqinit, Gostivarit, Prizrenit dhe të Fierit.
“Është një platformë për të shkëmbyer ide dhe energji, e cila thjeshtohet nga fakti se flasim të njëjtën gjuhë, por nuk është ky motivi kryesor. Nëse korsitë e biçikletave po funksionojnë në Tiranë, pse të mos funksionojnë edhe në Tetovë? Nëse ditët pa makina po funksionojnë në Prishtinë, ndoshta funksionojnë edhe në Tuz. Për ta larguar këtë takim nga legjendat urbane sikur po ndodhin çudira historike, në fakt historia e vërtetë që duhet të ndryshojmë është ajo që ndodh në qytetet tona”.
Për t’i dhënë një impuls të ri marrëdhënieve mes bashkive dhe komunave anëtare të Unionit, është rënë dakord për ngritjen e një Sekretariati me seli në Tiranë.
“Fillimisht do të kemi një staf me tre vetë nga Bashkia e Tetovës, nga Bashkia e Prishtinës dhe nga Bashkia e Tiranës, që të na ndihmojë për aspektet teknike të Unionit. Duam shumë që ky Sekretariat të aplikojë për bashkëpunime, për projekte rajonale, ku ne mund të konkurrojmë për financime që ndihmojnë financimet tona të pamundura. E nëse në finale qytetet tona janë bërë pak më të mira falë këtij bashkëpunimi, atëherë ka qenë një mision i suksesshëm”.
Gjatë vizitës së tij në Maqedoni, kreu i Bashkisë së Tiranës u prit në një takim edhe nga kryetari i Bashkisë së Shkupit me të cilin diskutoi mbi forcimin e marrëdhënieve dhe shkëmbimin e eksperiencave pozitive për qytetarët e të dy qyteteve. /abcnews.al