Veliaj me shoqatat e hotelerisë në Tiranë: Këto janë ditët më të mira për Tiranën

schedule12:11 - 4 Mars, 2023

schedule 12:11 - 4 Mars, 2023

Në një bashkëbisedim me përfaqësues të shoqatave të hotelerisë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shpreh krenar për rritjen që ka pësuar industria e turizmit gjatë viteve të fundit, për të cilën ai tha se “po jeton ditët e saj më të mira”. Veliaj vuri në dukje se kjo industri, e cila shpeshherë edhe anatemohet pa të drejtë për shkak të hoteleve që janë ngritur në Tiranë, punëson mbi 64 mijë vetë që punojnë në kryeqytet.

“Më kujtohet Tirana e para disa viteve, kur nuk kishte asnjë ‘brand’ hotelesh me 5 yje. Kur mendoj sot Hotel Radisson, Marriott, i cili hapet në fundjavë për një kontingjent konferencash, kur shikoj në horizont emrin Hotel InterContinental, kur dëgjoj për Hotel Melia dhe brandin më të lartë të grupit, që është Grand Melia, apo për Hotel Plaza Maritime, që sot është një brand gjerman, e dyshoj se pa këto hotele do të kishim edhe koncertet e Dua Lipës, Rita Orës, Konstantinos Argiros, që iste këtu para disa javësh, etj. Sepse në një vend ku ti performon, duhet të kesh edhe komoditetin e nevojshëm pritës. Kjo vlen edhe për pritjen e një pafundësi shoqëruesish e delegacionesh, siç ishte rasti i delegacioneve të 27 vendeve të BE, plus Komisioni Evropian dhe 6 vendet e Ballkanit. Pa këto hotele do ta kishim të pamundur t’i prisnim”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë shpjegoi se vetëm në 5 vitet e fundit, numri i djemve dhe vajzave që janë punësuar nga kjo industri është mbi 64 mijë persona. Sipas tij, ky është një lajm shumë i mirë, teksa shtoi numri i turistëve vitin e kaluar kapi shifrën e rreth 4 milionë e gjysmë vizitorësh.

“Në strukturat hoteliere, të mëdha e të vogla, punojnë mbi 64 mijë vetë. E kam fjalën për hostels, AirBnB, hotele, hotele me 5 yje, qendra konferencas etj. Kjo është një gjë e mirë apo e keqe? Unë them se kjo është gjë e mirë. Imazhi i strukturës është baraz me imazhin e Tiranës dhe të Shqipërisë. Nëse kjo industri sulmohet, anatemohet, paragjykohet, shahet, përgojohet, ky është marketingu më i keq që mund t’i bëjmë vendit tonë. Një turist, i cili vjen në fundjavë në Tiranë, nuk i del koha të shkojë edhe në Shëngjergj. Në fakt, vetëm 1 në 1000 mund t’i dalë koha të shkojë në Shëngjergj, por pjesa më e madhe do e njohë Shqipërinë dhe Tiranën nga hoteli ku qëndron. Kjo do të thotë se imazhi i strukturës hoteliere është i barabartë me imazhin e Tiranës dhe të Shqipërisë. Por ajo që është për të qeshur, por edhe për të qarë, është se ka disa njerëz që i shajnë kullat dhe hotelet, por në të njëjtën kohë, konferencat e tyre të shtypit apo zyrat e tyre i kanë në një kullë apo një hotel si ky që jemi sot”, tha Veliaj.

Antonis Anastasopulo, menaxheri i Përgjithshëm i Hotel Plaza, tha se Tirana është një qytet shumë i këndshëm, që turistët kanë dëshirë ta vizitojnë. “Ndodhem këtu prej 5 muajsh dhe dua të them se jam i lumtur për qytetin tuaj – është një qytet shumë i këndshëm dhe jam i lumtur për këtë hotel. Më besoni, nuk ka shumë hotele në Greqi me cilësinë që ka Plaza. Ju jeni me shumë fat! Më duhet të them se tre hotelet e tjera të mëdha, që po ndërtohen në Tiranë, do ta rrisin turizmin e Tiranës”, tha ai.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!