Kreu i bashkisë së Tiranës ka mbajtur një deklaratë publike pas prishjes së Teatrit Kombëtar. Erion Veliaj është shprehur se sot i shtrin dorën gjithëkujt që i është thyer zemra, dhe kërkoi bashkëpunim.
Kryebashkiaku ka theksuar po ashtu se ky nuk është momenti për t’u përçarë nga partitë politike.
“Një ndër mësimet që duhet të nxjerrim është se duhet të bashkëpunojmë; duhet të bashkëpunojmë ta përmirësojmë këtë ide. Kemi disa ide shumë të mira që e kanë pasuruar projektin nga artistët, por unë besoj se mund të bëjmë akoma më mirë.
Sot dua t’i shtrij dorën kujtdo që nuk ishte dakord me ne në këtë betejë; kujtdo që ndoshta, edhe pse s’e ka ekspertizën inxhinierike, edhe pse s’e ka ekspertizën ligjore për të kuptuar si funksionojnë këto procese, apo ndoshta as njohurinë bazë që, jo vetëm që nuk ishte kurrë monument, por që në 2018 ishte i rrezikuar, dhe siç u pa sot pas prishjes, ishte i gjithë populit, tallash, teneqe. Nuk pamë një kollonë betoni, një armaturë, një gram çelik. Ajo ndërtesë ishte realisht e rrezikshme dhe nuk mund të jetë ndërtesa për të çuar fëmijët e këtij qyteti në 100 vitet e ardhshme. Nuk mund të vazhdohet të shkohet me batanije në dimër apo me peshqirë, qull në djersë në verë.
Na duhet një teatër modern. Ndaj, dua t’ia shtrij dorën kujtdo, që për një arsye apo për një tjetër, sot zemrën e ka të thyer dhe ndihet i trishtuar, se një betejë që i mori kohë, energji, doli pa fryt. Dua t’ju them që nuk është kështu. Tirana është shtëpia jonë e përbashkët. Ne mund te kemi opinione të ndryshme, por nuk mund të kemi fakte të ndryshme. Detyra e bashkisë është që të vendosë mbi faktet, mbi institutet, mbi inxhinierët, mbi urbanistët, mbi arkitektët, mbi ligjet e këtij vendi, që thonë çfarë është apo nuk është monument kulture. Në momentin që ky vendim është marrë, ka ardhur koha që të shohim përtej kësaj dite.
Ka ardhur koha që të përqafojmë njëri-tjetrin, të mos lëmë partitë të na përçajnë, të mos lëmë partitë të sulin shqiptar me shqiptar, vëllezër dhe motra kundër njëri-tjetrit. Ky nuk është momenti për t’u përçarë, por për t’u bashkuar! Besomëni! Partitë politike fërkojnë duart kur shohin sesi ne përçahemi. Dhe për çfarë? Për të pasur një teatër të ri modern për fëmijët tanë dhe gjeneratat e reja të këtij qyteti. Ndaj, vëllezër dhe motra, çfarë iku, iku. Ka ardhur koha të bëhemi bashkë. Kemi qenë të mërzitur kur mbaroi këndi i lodrave, po sa shumë jemi gëzuar duke çuar fëmijët te ai kënd. Edhe atëherë u përfshinë OJF, por ja ku jemi sot. Ishin disa njerëz aktivistë shumë të mërzitur, kur ne liruam pjesën e dytë të Liqenit; atëherë Amnisty International u përfshi, një tjetër OJF e rëndësishme, por siç u kuptua, ishte vendimi i drejtë. Edhe romët morën shtëpitë e tyre dhe ne fituam pjesën e dytë të Liqenit. Shihni Bulevardin e Ri, që do të jetë damari ri ekonomik i Tiranës, shihni sherrin që patëm për Pazarin e Ri, për sheshin Skënderbej, që në 1913, na u deshën 104 vjet për të mbaruar një shesh. Kur ne shqiptarët bëhemi bashkë, ne bëjmë gjëra të mrekullueshme. Ne po punojmë momentalisht edhe te Kalaja e re, do të shtojmë edhe njëherë kaq Kalanë, një tjetër projekt i kontestuar.
Nuk mbaj mend kur kemi bërë një punë të madhe në Tiranë e të mos jetë e kontestuar, e debatuar, mos të jenë të përfshirë lloj-lloj politikanësh që na kanë përçarë këto 30 vite. Mendojnë vetëm çfarë votash do kapitalizojnë kur fusin shqiptarët në sherr dhe pastaj siç e patë, shkojnë në makinat e tyre luksoze, në vilat e tyre dhe ne vazhdojmë dhe theremi dhe shajmë njëri-tjetrin. Nuk shkon. Ajo që na ka hije është që tani ne të bashkëpunojmë. Nuk ka rëndësi nëse kemi qenë në anë të ndryshme të kësaj barrikade deri më sot, por unë sot, me zemër në dorë, dua t’ju shtrij dorën, t’ju hap krahët dhe dua që të bashkëpunojmë sesi ne këtë projekt mund ta bëjmë akoma më të mirë seç e kemi sot. Në finale do harrohet zhurma siç u harrua te Pazari i Ri, te Kalaja, te Sheshi, te Lumi, te Bulevardi, te Liqeni dhe te Lodrat. Në finale do të triumfojë produkti. Kemi mundësinë sot të kalojmë në një produkt cilësor, të denjë për Tiranën e këtyre 100 viteve që vijnë.
Ju dua shumë! Ndonjëherë kjo detyrë kërkon të marrësh vendime shumë të vështira. Ndoshta, vendimi më i vështirë i jetës time për të zbatuar vendimin në fakt të Këshillit Bashkiak, por ndonjëherë gjëja e drejtë do të gjykohet me gjakftohtësi më vonë. Kemi marrë një vendim të drejtë miqtë e mi! Na priftë e mbara dhe mezi pres që ditët që kemi përpara t’i kalojmë duke bashkëpunuar, duke u përqafuar, duke u vllazëruar dhe jo duke u përçarë. Tirana është një shtëpi e madhe dhe ka vend për të gjithë.
Ju falenderoj të gjithëve nga zemra dhe pavarësisht si i kemi opinionet, kemi shumë rrugë për të bërë që Tirana të shkëlqejë akoma më shumë’, përfundoi deklaratën e tij Veliaj. /abcnews.al