Mes një atmosfere festive që ka nisur prej orëve të paradites në selinë rozë, drejtuesi politik i PS për Tiranën, njëherazi kryetari i kësaj bashkie Erion Veliaj deklaroi në një dalje për mediat se PS ka fituar 55% të votave te zona e Freskut në kryeqytet. Veliaj deklaroi se PS do të vazhdojë të punojë njësoj për këtë përqindje që kanë votuar socialistët dhe për pjesën tjetër.
“Tek njësia nr.12 është thyer një rekord i PS. Duke fituar 55% tek zona e Freskut. Zona e Freskut është një njësi e re e Tiranës. Ka qenë një pjesë tranzitore. U themelua si njësi e re, pasi ajo, Astirit dhe Liqeni i Thatë janë bërë njësh me qytetin. Kemi qenë kurioz si do performojë për herë të parë. Dua t’i falënderoj me zemër ata që na kanë dhënë kaq shumë besim dhe mbështetje. E kemi lexuar me shumë kujdes mesazhin që na ka dhënë pjesa tjetër.
Unë jam i ndërgjegjshëm për punën që lipset ende aty. Godina e Shërbimit Informativ Ushtarak në zonën e Freskut do kemi një shkollë të bashkuar që do fillojë punimet shumë shpejt këtë verë. Ne do i shërbejmë njësoj edhe atyre 55% që na kanë votuar edhe pjesës tjetër. Do kem kënaqësinë që këtë rezultat ta bashkëndaj me një motër, me një shoqe. Ermonela pati shumë pak kohë duke qenë se na e bashkua nga skuadra e Beratit në finish kur sapo ishin duke u botuar emrat e kandidatëve”, deklaroi Veliaj.
Kandidatja për deputete Ermonela Felaj foli me shifra sa i takon votave të numëruara deri tani në zonën e Freskut. “3650 vota për PS dhe vetëm gjysma e tyre për PD dhe vetëm 500 për LSI ka qenë punë e jashtëzakonshme e njerëzve të zakonshëm të kësaj njësie”, tha Felaj.
Veliaj u bëri thirrje komisionerëve të PD dhe LSI të mos ndërpresin procesin e numërimit deri në daljen përfundimtare të rezultatit ndërsa theksoi se në ato KZAZ ku PS ka shumicën numërimi ka vazhduar pa asnjë problematikë.
“Shumë prej numëruesve të PD dhe LSI kanë kërkuar të flenë deri në orën 01:00 ose 02:00. Nëse edhe PD dhe PS kanë fituar kjo është një arsye fantastike që të vazhdojmë me numërimin. Nëse edhe PD thotë se ka fituar nuk ka arsye për pushim deri në përfundim të numërimit. Historia e gjumit po bëhet proverbiale. Nuk ka pse të jetë ngjitëse.
Mund ta ketë një njeri në parti por jo të gjithë. Pjesa më e madhe e problematikës është në KZAZ ku PD ka shumicën. Fakti që sot kemi avancuar në një pjesë të mirë të KZAZ-ve ku ne kemi shumicën. Për sa kohë pala tjetër thotë se ka fituar në Tiranë atëherë të dyja palët do dalim të lumtur nëse vazhdohet me numërimin”, u shpreh Veliaj./mv.abcnews.al