Veliaj: Jemi në diskutime për ndërtimin e rrugës Tiranë-Ndroq-Plepa

schedule17:17 - 23 Shkurt, 2019

schedule 17:17 - 23 Shkurt, 2019

Bashkia e Tiranës po i kushton vëmendje edhe investimeve në zonat periferike të Kryeqytetit, siç është edhe zona e Vaqarrit. Kryebashkiaku Veliaj gjatë inaugurimit të këndit të lojërave në këtë zonë, bëri me dije se kanë nisur bisedimet me ARRSH edhe për rindërtimin e rrugës Tiranë-Ndroq-Plepa.

Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar kanë nisur bisedimet për rindërtimin e rrugës kombëtare Tiranë – Ndroq-Plepa. Lajmin e bëri të ditur kreu i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj teksa inauguroi këndin e lojërave në Vaqarr.

Erion Veliaj: Lajmi shumë i mirë është se edhe ministrja e re e Infrastrukturës, edhe drejtoresha e re e ARRSH-së, po shikojnë të gjitha mundësitë që të nxitet më shpejt financimi i rrugës Tiranë-Ndroq. Vërtet shumica e atyre që shkojnë në Durrës përdorin autostradën, por ama në këtë rrugë ka burime të jashtëzakonshme; bujtinat, agroturizmin, hapësirat e fermerëve dhe të familjeve që jetojnë me bujqësinë, janë në luginën e Erzenit. Ndaj, mezi pres që bashkë me qeverinë qendrore të punojmë rrugët kapitale dhe ata të nxitojnë me rikonstruksionin e rrugës Tiranë-Ndroq”.

 Bashkia e Tiranës në kuadër të projektit “Luaj Tirana”, i cili po shtrihet edhe në zonat rurale, inauguroi këndin e lojërave me sipërfaqe prej 1155 m2 në zonën e Vaqarrit. Kryebashkiaku Veliaj tha se po mbahen premtimet, duke shtrirë investimet edhe në zonat rurale

Erion Veliaj: Ky është këndi ynë i 43-të në 43 muaj punë në Bashkinë e Tiranës. Pas këndeve të lojërave në Krrabë, në Dajt, në Kashar, në Farkë, tani kemi edhe këndin e lojërave në Vaqarr, për t’u siguruar që fëmijët e Tiranës, pavarësisht ku jetojnë, në ish-komuna apo në qendër të Bllokut, të kenë të njëjtin akses për një fëmijëri të shëndetshme”.

Krahas punës për të ndërtuar hapësira rekreative dhe argëtimi për të vegjlit në çdo lagje të qytetit, Bashkia e Tiranës po i kushton një rëndësi të veçantë edhe zonave periferike dhe rurale./abcnews.al