Veliaj dhe Krifca prezantojnë tregun e ri agroushqimor: Investim që u kursen fermerëve 70% të pagesave që shkonin te privati

schedule13:30 - 18 Mars, 2023

schedule 13:30 - 18 Mars, 2023

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca prezantuan tregun e ri agroushqimor në Farkë, AgroPark Tirana, i ndërtuar posaçërisht për fermerët, të cilët mund të shesin produktet e tyre me zero taksa, ndërsa konsumatorët do t’i blejnë më lirë prodhimet bio, të kontrolluara dhe të certifikuara sipas standardeve europiane.

Në fjalën e tij, kryebashkiaku Veliaj u shpreh krenar për realizimin e këtij investimi të rëndësishëm, që u vjen në ndihmë fermerëve dhe zonave rurale.

“Këtu vij me kokën lart! Ky ishte premtimi i fundit i pambajtur dhe më vjen mirë që pranvera na gjen me një projekt, ndoshta më i miri dhe më i arrituri në rajonin tonë. Ky vend ka edhe një vendosje gjeografike fantastike. Jemi m’u në buzë të autostradës, Unazës së Madhe të Tiranës, mes Lundrës dhe Farkës, dhe për të gjithë ata që kundërshtonin Unazën, që protestonin tek Astiri, sot kërkojnë vota, por duhet t’i thonë publikut se çfarë ndodhi me vitet që humbëm kohë kot. Kohën s’e kthen dot askush dhe kur ne bllokohemi me vite të tëra, ndërkohë që vetëm hapja e këtij segmenti të Unazës ka sjellë një vlerë të jashtëzakonshme, dhe ja ku jemi sot, buzë Erzenit, kemi një hapësirë të jashtëzakonshme bujqësore, kemi qendra tregtare, kemi hapësira rezidenciale, po bëjmë një park të ri në Liqenin e Farkës dhe ditët më të mira për fshatin sapo kanë filluar”, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku sqaroi se tregu i ri do u kursejë tregtarëve 70% të kostove, që më parë paguanin te privati, e po ashtu do u ofrojë qytetarëve produkte bio më të lira.

“Në tregun privat ti paguaje pa e ditur se çfarë do të shisje, pa e ditur se sa është bursa në treg, sepse kishte një çmim fiks të asaj që quhet ‘matje e kokës me spango’. Në këtë treg kemi pagesa deri në 70% më të ulëta, jo për të nxjerrë fitim, por të sigurohemi që këtu mbahet pastër, që ka roje, ndriçim, higjienë, dhe ka një lloj rendi vetëm për të mbuluar kostot, duke i kursyer secilit 70% të pagesave që shkonin për fitimin e privatit. T’i japësh fermerit më shumë para nga produkti i tij, t’i kursesh tregtarit më shumë nga këto vara-vingot e harxhim nafte, duke ardhur te rruga dytësore e autostradës Tiranë-Durrës, dhe ta përkthesh të gjithë këtë kursim në çmime më të ulëta për produktet bujqësore të prodhuara në Shqipëri dhe në Tiranë, me më pak kosto, është një sukses i jashtëzakonshëm”, nënvizoi ai.

Veliaj njoftoi edhe një sistem transparence për produktet që do të shiten në këtë treg. “Siç ekziston bursa jashtë, për shumë prej produkteve duhet të kemi edhe një minibursë këtu. Do të kemi një tabelë të çmimeve, ku njerëzit dinë sipas kërkesës dhe ofertës, ku rrahin çmimet. Ky sistem transparence sigurisht që e bën më kompetitiv tregun, informon njerëzit jo vetëm për çmimin, por edhe për origjinën nga ka ardhur. Tradita e mirë që kemi filluar, duke marketuar disa produkte, siç është domatja e vonë e Shëngjergjit, gjeli i Baldushkut apo ulliri i Ndroqit, është diçka fantastike. E vlerësoj vërtet si gjest patriotik solidaritetin që kemi për të qarkulluar paratë brenda ekonomisë së qytetit tonë”, deklaroi ai.

Ndërkaq, Veliaj tha se e gjithë Farka është transformuar me Parkun e Liqenit e me të tjera investime, ku është punuar njëlloj, si në qendër edhe në periferi.

“Parku i ri i Farkës do jetë ndoshta konkurruesi më i fortë i Parkut të Liqenit të Tiranës, me një sipërfaqe më të madhe, një investim i bërë që në fillim. Kush e mendonte më parë se në Farkë do të bënim finalet e Kupës së Republikës së Shqipërisë në basketboll dhe në volejboll! Sot jemi në një situatë ku vërtet, mjafton vetëm të shohim cilësinë e punimeve këtu. Është punuar me të njëjtën cilësi, siç punohet në sheshin ‘Skënderbej’, për t’i dhënë mesazhin njerëzve se nuk ka rëndësi nëse je në qendër të Tiranës apo në periferi. Secili që është qytetar i kryeqytetit do të trajtohet me respekt dhe do investojmë njësoj, cep më cep”, u shpreh ai.

Ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca nënvizoi faktin se tregu do të afrojë më shumë fermerët, edhe të zonave kufitare, me Tiranën.

“Ky treg ndërtohet jo vetëm për konsumatorët e Tiranës, që është tregu më i madh që kemi në Shqipërinë tonë, por është një treg që do të marrë produkte edhe nga Elbasani. Vendndodhja strategjike në Farkë nuk është zgjedhur në mënyrë të rastësishme. Është zgjedhur për të çliruar gjithë atë vëllim produktesh që prodhohen nga Elbasani, nga Shkodra, nga Dibra, dhe duke u dhënë akses praktikisht të gjithë fermerëve të Shqipërisë, mund të pikëtakohen këtu. Nëpërmjet një infrastrukture të tillë, me standarde mjaft të larta dhe të sigurisë ushqimore, me kapacitete frigoriferike, ku produkteve mund t’u shtohet vlera edhe përmes përpunimit, kemi mundësi të garantojmë sigurinë ushqimore për konsumatorët tanë, duke ulur koston e prodhimit dhe rrjedhimisht edhe çmimin për konsumatorët,” u shpreh ajo.

Tregu AgroPark Tirana do të sjellë fitime më të larta të fermerëve falë çmimeve më të ulta të qiradhënies dhe mos-tarifimit të çdo produkti që qarkullon në treg, si dhe çmime më të lira për konsumatorin.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!