Një nga problemet e hasura nga inxhinierët në terren pas tërmetit të 26 nëntorit, ishte pikërisht vendosja e depozitave të ujit mbi tarracat e pallateve, duke rrezikuar jetën e qytetarëve. Ne kryeqytet bashkia vendosi t’i japë fund kësaj gjetjeje të pas viteve 90 për të furnizuar familjet me ujë.
Të gjithë depozitat e ujit do të hiqen nga tarracat e pallateve në Tiranë. Ky vendim është marrë nga Këshilli Bashkiak gjatë mbledhjes së radhës. Bashkia e Tiranës do të udhëzojë që depozitat e përbashkëta të ujit të vendosën në ambientet me pronësi të përbashkët në katet e para.
“Mbi tarracat e pallateve ka një peshë të jashtëzakonshme që është në mënyrë konstante rrezik për jetën e qytetarëve. Kjo histori ka vazhduar për shumë gjatë në qytetin tonë; ne nuk duam të jemi ata që nuk mësojmë nga historia, por që mësojmë prej saj. Ndaj, lipset të bëjmë disa gjëra me këtë vendim të KB: Së pari, marrim vendim për të hequr të gjitha depozitat e ujit nga tarracat, jo për t’i lënë pa alternativë, por që në bashkëpunim me administratorët e pallateve të kenë mundësi që, si pallatet e reja, në hapësirën e përbashkët, në katin e parë ose në një nga vendet e parkimit, të instalojnë një depozitë të përbashkët për të gjithë banorët; pra, jo secili të vetën”, tha Veliaj.
Depozitat mbi pallat do te lejohen vetëm në raste të caktuara.
“Ne do të lejojmë depozita në tarracë vetëm nëse inxhinierët konstruktorë të licencuar i japin aprovim administratorit të pallatit se tarraca e tyre është mjaftueshëm e fortë për të mbajtur atë peshë. Improvizime të tjera nuk do kemi. Kjo është arsyeja pse do i kërkojmë çdo asambleje të pallatit që me administratorin e tyre të bëjë këtë verifikim; do i japim leje të përshpejtuar kujtdo që do të bëjë depozitë të përbashkët të pallatit në katin përdhes, në lulishten apo brezin që ka pallati rreth e qark, por kurrsesi nuk do vazhdojmë me këto rreziqe”, theksoi Veliaj.
Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi listën e radhës për bonusin e qirasë për 606 familje të tjera, shtëpitë e të cilave janë bërë të pabanueshme nga tërmeti i 26 nëntorit. Një vendim tjetër ishte edhe kompensimi i pagesës së qerase për studentët qe jetonin në godinat që do shemben pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës./abcnews.al