Veliaj del kundër KQZ: Nuk mund të kufizohem unë prej atyre që flenë gjumë

schedule15:47 - 7 Janar, 2021

schedule 15:47 - 7 Janar, 2021

Erjon Veliaj, si çdo kryebashkiak tjetër ka detyrimin që prej 25 dhjetorit të marrë leje nga KQZ për çdo aktivitet që kryen, në mënyrë që 4 muaj përpara zgjedhjeve të mos shpërdorojë burimet shtetërore për fushatë.

Por prej 15 ditësh, Veliaj nuk ka deklaruar në KQZ asnjë aktivitet edhe pse ka zhvilluar dhjetëra të tilla. Kryetari i bashkisë ishte sot në Farkë ku dorëzoi disa çelësa shtëpish të rindërtuara me fondet publike pas dëmeve të tërmeteve. Veliaj sfidoi aty hapur Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në një prej familjeve duke thënë se nuk mund ta kufizojë.

KQZ-ja s’mund të jetë tryezë analistësh, por duhet t’i bëjë të qarta rregullat. Fakti që dikush para nesh, kur ishte kryetar bashkie fjeti gjumë, nuk do të thotë që gjumi duhet të bëhet i detyrueshëm për të gjithë. Nëse dikush do të flejë, le të flejë! Por, nëse dikush do të punojë dhe i hanë duart për punë, le të punojë! 

Si mund t’i thuhet dikujt mos puno 4 muaj?! Është detyrë e kryetarit të bashkisë të inspektojë punimet, të mbarojë procesin e rindërtimit. Është detyrë e kryetarit të bashkisë të bëjë shkolla, të mbjellë pemë! Nuk mund të thuhet se meqë njëri nuk di të luajë, të mos luajë askush tjetër. Është si ato lojërat e fëmijëve – kur njëri nuk di të luajë, i vjen e ëma dhe u thotë të tjerëve, lëreni ta prekë edhe ky topin. 

Mirë, po e lëmë ta prekë topin, po e lëmë edhe portën bosh, por u bënë 4-5 palë zgjedhje që ky del huq dhe nuk bën gol. Se ky nuk di të bëjë gol as me portën bosh! Meqë ky s’di, të tjerët nuk do luajnë hiç? Pra, nuk do punojë asnjë, meqë ky do të flejë gjumë? Ka ardhur koha të bëhemi seriozë!”, theksoi Veliaj. ABC Pyeti në KQZ, nëse ka pasur denoncime, penalitete apo tërheqje vëmendjeje ndaj kryebashkiakut, por nuk u dha asnjë shpjegim mbi këtë rast specifik./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!