Veliaj: Banorët që preken nga rindërtimi marrin bonus qiraje, ato parti që luajnë me tërmetin janë kthyer në rrënoja politike

schedule21:48 - 23 Dhjetor, 2022

schedule 21:48 - 23 Dhjetor, 2022

Kreu i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj siguron se të gjitha familjet që preken nga rindërtimi do të përfitojnë pagesën e qirasë së banesës.
Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, Veliaj deklaroi se lidhur me këto objekte është marrë dhe ekspertiza e Institutit të Ndërtimit. “Ne do paguajmë qiranë deri sa t’i ndërtojmë pallatet ku do të marrin shtëpi dhe do trajtojmë dhe ata që nuk janë legalizuar, që janë në një situatë informale. Pra kush është i legalizuar merr paratë dhe kush është i pa legalizuar tek Bregu i Lanës, do të marri shtëpinë e vet siç kemi bërë edhe për projektet e tjera. Të njëjtën gjë do të bëjmë edhe për projektin e Unazës së Madhe dhe ata që preken dhe që janë informale në këtë zonë, edhe për ata që preken në zonat administrative numër 4 dhe numër 8, pra zona e “5 majit” dhe zona e Kombinatit. E patë të gjithë histerinë e fundjavës, një histori pa sens. Për sa kohë që Instituti i Ndërtimit, për sa kohë që drejtori Artan Shkreli dhe gjithë drejtorët që kanë qenë aty japin një vendim për Bashkinë e Tiranës, Bashkinë e Durrësit, Bashkinë e Krujës, është detyrim ligjor që ne ta zbatojmë atë”, tha Veliaj.

Veliaj nënvizoi se asnjë person nuk do të mbetet në rrugë, ndërsa tha se Saliu dhe Iliri duan të përfitojnë politikisht. “Ju garantoj që nuk kemi lënë asnjë njeri në rrugë. Ne jemi zemërgjerë dhe solidarë, por jo të papërgjegjshëm me paranë publike. Rasti i atij që bërtiste më shumë, kishte marrë shtëpi të re te “5 maji”, kisha qenë vizitor në atë shtëpi, mbante shtëpinë tjetër këtu, merrte bonusin e qirasë dhe shtëpinë tjetër te pallati i 4-rt e kishte dhënë me qira. Tani kjo është fyese. Ajo që ndodh është që kur ndodhi tërmeti i parë, po të njëjtët njerëz ulërinin: “Pse nuk i hoqët, se ja erdhi tjetri”. Po të njëjtët njerëz tani thonë “pse i hiqni”, ndërkohë që ai është gati për të rënë vetë, dhe siç e patë, sa e preku fadroma, ra. Kështu që prandaj them fjala “hiena politike” është shpikur për Ilir Metën dhe Sali Berishën, sepse “hip se të vrava, zbrit se të vrava”. Pra ata duan që inshallah ka ndonjë viktimë që të themi e vrau qeveria, e vrau bashkia dhe të kapim ndonjë votë. Mirë që vota s’po kapin, por s’po u lëmë asnjë mundësi, sepse në një shtet ligjor ti thua: Unë të kompensoj por mos abuzo. Kush merret me rrënojat e tërmetit, do kthehet në një rrënojë politike dhe një pjesë e këtyre partive, janë kthyer tashmë në rrënoja politike. Megjithatë detyra ime është t’ju informoj që do vazhdojmë me paketën e qirasë, do të thotë që do të marrin qira deri ditën që marrin çelësat në dorë”, tha Veliaj.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!