Veliaj: Asnjë kompromis për vota

schedule13:40 - 30 Maj, 2019

schedule 13:40 - 30 Maj, 2019

Në prag të nisjes së fushatës elektorale kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj thotë se nuk do të lejojë asnjë kompromis me paligjshmërinë për vota. Veliaj paralajmëroi se kush ndërton pa leje t’i bëjë llogaritë mirë.

Kushdo që mendon se mund të përdorë fushatën për të ndërtuar pa leje në Tiranë paralajmëroi kryetari i bashkisë Erion Veliaj, e ka gabim.

“Njësoj si te Selvia do ta pësojnë të gjithë ata që guxojnë të përdorin situatën e fushatës si moment ku mendojnë se bashkia nuk e ka mendjen dhe mund të bëjmë ndërtime pa leje. Do ta pësojnë jo vetëm ndërtimet pa leje, por mbi çdo gjë që është ndërtuar në ndërtim pa leje, edhe gjërat që ka poshtë. T’i vënë mendjen kokës dhe mos mendojnë se nuk do kemi mendjen në menaxhimin e qytetit gjatë 30 ditëve të fushatës. Nuk ka asnjë sekret, kemi marrë një angazhim publik: nuk mundet që Vojo Kushi të ketë dhënë jetën mbi tank, kurse ne bëjmë një lokal mbi Vojo Kushin, si ai mbi tank.”

Bashkia e Tiranës, tha Veliaj do të ruajë të njëjtën vigjilencë për garantimin e ligjshmërisë në menaxhimin e territorit edhe gjatë periudhës së fushatës.

“Do të jemi akoma më të ashpër në fushatë, për të treguar se nuk bëjmë kompromis me asnjë votë për një të babëzitur, për një grykës. Mund të jetë ish-deputet, mund të jetë njeri me pushtet, mund të jetë laci i lagjes, mund të jetë një i fortë, mund të jetë një gangster, nuk më intereson hiç! Fushatës do t’i kushtoj të gjithë vëmendjen e rëndësishme, por nuk do lë mangët asnjë gjë të qytetit. Po kush mendon se muaji i fushatës është muaji i rrumpallës dhe për një grusht votash unë do të toleroj dikë që kërkon t’i hipë Vojo Kushit sipër, si ai tankut, e ka shumë gabim”.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës i bëri këto deklarata nga zyra e re e aplikimit për karta dhe pasaporta biometrike që u hap në njësinë numër 11. /ABC News Albania 24/7