Veliaj: Ambicia jonë, vitin e ardhshëm të ofrojmë kurse falas për të rinjtë te Piramida

schedule14:17 - 26 Tetor, 2023

schedule 14:17 - 26 Tetor, 2023

Në fillim të vitit tjetër, Bashkia e Tiranës ka synimin që t’i bëjë falas kurset te Piramida, për fëmijët dhe të rinjtë që duan të marrin mësime në fushën e teknologjisë së informacionit. Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili mori pjesë në ndarjen e çmimeve të konkursit AWS Jam Day, (një bashkëpunim mes Raiffeisen Bank dhe Amazon Web Services) dedikuar teknologjisë “Cloud” në Shqipëri, u shpreh se kjo është një ambicie që mund të bëhet realitet nga 1 Janari 2024.

Ne jemi partnerë me Raiffeisen Bank sepse sponsorizojmë gjysmën e bursës për çdo çun dhe për çdo gocë që mëson aktualisht te TUMO Center. Ambicia jonë është që, nga 1 Janari, ta bëjmë falas. Ëndrra ime është që çdo çun dhe çdo gocë në Tiranë të ketë mundësi ta marrë kursin falas pavarësisht se ku jeton, në Bathore apo në Bllok. Unë nuk siguroj dot suksesin e secilit, – nuk është as misioni im – por ajo që duam të sigurojmë është që fillimi të jetë njësoj për të gjithë. Në qoftë se do të na ndihmonit me talente, por edhe të ktheheni në mentorë dhe këshillues të një të riu, si një vëlla i madh apo një motër e madhe, për dikë që vjen pas jush dhe ka dëshirën të përqafojë industrinë e teknologjisë, do t’ju isha pafundësisht mirënjohës”, u tha Veliaj pjesëmarrësve në konkursin e AWS.

Ai kujtoi se jo më larg se 8 vjet më parë, industria më e zhvilluar në Tiranë ishte fasoneria, ndërsa sot turizmi dhe teknologjia zënë 50% të ekonomisë së qytetit.

Kur e filluam këtë punë, 8 vjet më parë, Tirana prodhonte 25% tekstil, – pra, këmisha dhe bluza, dhe 25% atlete dhe këpucë. Ishin punë të paguara pak dhe që mund t’i bëjë më mirë dhe më lirë dikush në Indonezi, Vietnam, Kinë apo Indi. Menduam se si mund ta transformojmë qytetin, edhe me investimet në infrastrukturë, që qyteti të fillojë të bëjë punët e së ardhmes. Sot nuk jemi perfekt, por pas 8 vitesh, 25% e ekonomisë që gjeneron Tirana është ICT dhe 25% turizëm. Kjo tregon se nëse ne shqiptarët i futemi punës me pasion, dimë t’i çojmë gjërat përpara, për të krijuar biznese të reja, për të kapur trendet e reja dhe për të përfituar nga gjithë kjo energji e re për punët e së ardhmes”, deklaroi Veliaj.

Konkurrentët pjesëmarrës në këtë konkurs u asistuan nga dhjetëra profesionistë dhe inxhinierë të Amazon Web Services./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!