Vdiq gjatë lindjes, familjarët e 31-vjeçares nga Fieri protestojnë para prokurorisë

schedule10:03 - 10 Maj, 2021

schedule 10:03 - 10 Maj, 2021

Familjarët e vajzës që vdiq gjatë lindjes, disa javë më parë kërkojnë drejtësi. Siç raporton gazetarja Valbona Davidhi ata kanë ardhur këtë mëngjes para prokurorisë në shenjë proteste.

Familjarët e Elisabeta Lamaj kërkojnë që prokuroria të hetoje pasi kanë bërë kallëzimin. E reja humbi jetën gjatë lindjes në maternitetin e Fierit. Familjarët kanë ngritur dyshime mbi mjekët dhe për këtë arsye kanë bërë kallëzim në prokurori.

“Unë jam kunata e Elisabetës. I lutem shtetit dhe prokurorisë të vërë dorën në zemër për ato dy vajza që janë jetime. unë jam e fushës së mjekësisë, punoj laborante. Nuk e di si ata mund të thonë pësoi arrest kardiak apo tromboembolinë, pse nuk doli doktori ta takonte bashkëshortin dhe t’ja thoshte vetë. Pse i bëri analizat tre ditë para, ku ato analiza bëhen brenda një ore,” shprehet e afërmja e viktimës para mediave.

Të afërmit kërkojnë të vihet në vend drejtësia, duke bërë përgjegjës kryesor mjekun që e ka ndjekur. Ata kërkojnë që të merret seriozisht hetimi nga ana e prokurorisë, pasi ka kaluar më shumë se një muaj që nga kallëzimi dhe nuk është bërë asgjë.

“Jemi të demoralizuar. Nuk ekziston shteti për ne. Aktualisht nuk është bërë gjë. Të na e zgjidhë problemin shteti, ose për ndryshe do të hakmerremi vetë. Spitali publik është kthyer në spital privat, me bakshishe nuk ngopen. Nuk është rasti i vetëm i joni, por janë disa raste,” thotë një i afërm tjetër. g.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!