Ish-kryetari i degës së PD në Kukës, Ibsen Elezi, në një intervistë në “Tirana Live” në ABC News tha se fajtor për shkatërrimin e opozitës janë ish-kryeministri Sali Berisha dhe Lulzim Basha.
“Fajtori kryesor vërtet është Berisha dhe Basha, sa i takon shkatërrimit të opozitës, por gjithashtu problemi është shumë më i madh. Në garën e Olldashit me Bashën u shkel një rregull dhe askush nuk e kundërshtoi. U tregua se PD kishte një problem shume të madh”, tha Elezi.
Gjithashtu ai u shpreh se opozita nuk mund të ringrihet me Bashën dhe Berishën, pasi sipas tij duhet të ketë një garë demokratike.
“Nuk kanë respekt për votën dhe mendimin. Janë të diskretituar si Berisha me mashtrimet. Çfarë nuk kanë thënë për Gaz Bardhin dhe më pas i ka lënë drejtimin e partisë. Por e njëjta gjë edhe me Bardhin, çfarë nuk ka thënë për Berishën. Nuk mund ta ringrejnë këto opozitën. Opozita nuk mund të ngrihet më me këta të dy. E vetmja rrugë është të pranojnë një garë. Por të mos fusin duart më as Berisha. Kjo situatë, shkatërrimi i opozitës demokratike ka qenë e planifikuar shumë kohë më parë”, shtoi ai.
/abcnews.al/