Vdekja e Lear Kurtit, Softa: Forcat operacionale duhet të jenë të pajisura me kamera trupore, hetimet duhet të jenë shteruese

schedule19:32 - 20 Tetor, 2022

schedule 19:32 - 20 Tetor, 2022

I ftuar në “Radari Informativ” në Abc të gazetares Juli Xhokaxhi, ish-Drejtuesi i Lartë i Policisë së Shtetit, Fatjon Softa, ka komentuar lidhur me ngjarjen e rëndë të ditës së sotme, ku 32-vjeçari Lear Kurti humbi jetën në ambientet e komisariatit 3 në Tiranë.

Softa tha se oficerët e policisë dhe forcave operacionale duhet të jenë të pajisura me kamera, në mënyrë që asnjë ngjarje mos mbetet e pazbardhur, por dhe mos ngrejë dyshime mbi uniformat blu.

Ai theksoi se për zbardhjen e plotë të ngjarjes duhet një hetim shterues, pasi deklarata e deritanishme lënë vend për dyshime.

Pjesë nga biseda:

Xhokaxhi: Sa i takon humbjeje së jetës u tha se ishte epileptik, pastaj iu gjet një qese në stomak, në të dyja rastet nëse do jenë të vërteta epilepsia nuk shkakton vdekjen, e dyta çdo kush di si veprohet në këtë rast. Rasti i dytë ai i mbidozës ka një afat kohor, që një lëndë narkotike të japë efektet e saj apo jo?

Softa: Përveç efektit dhe afatit kohor ku e mori dhe e gëlltiti ai qesen, sepse u tha që ai po vraponte, pra të gjitha këto janë momente që duan një sqarim edhe nga vetë punonjësit por dhe nga vetë strukturat. E dyta nga momenti që personi u ndie keq sa kohë veproi policia, erdhi ambulanca me vonesë, të gjitha këto duan hetim, për të parë se ku vdiq personi. Duhen sqaruar këto dhe më pas kur u bë autopsia. Të gjitha janë momente që kërkojnë një lloj sqarimi që mos kemi më dyshime. Nëse do kishim dhe brenda makinave kamerave do të shihnim dhe aty se çfarë ka ndodhur.

Xhokaxhi: Bëhet domosdoshmëri mbajtja e kamerave trupore dhe kamerat në makina dhe komisariate?

Softa: Patjetër sepse në shumë vende të botës i aplikojnë, kanë kamera që janë për situatat e rasteve që mund të ndodhin. Kjo u pompua me shumë sukses, dhe kjo vazhdoi për një farë kohe nuk e kuptoj pse nuk përdoren më. Ai investim që u bë duhet të mirëmbahej.

/Abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!