Vdekja e katër turistëve në Kavajë, Ambasada Ruse: Presim hetim të plotë për sqarimin e rrethanave

schedule12:31 - 17 Tetor, 2021

schedule 12:31 - 17 Tetor, 2021

Ambasada Ruse në Shqipëri ka reaguar për rastin e katër turistëve që u gjetën pa shenja jete në Qerret të Kavajës. Në një postim në llogarinë zyrtare në Facebook, ambasada konfirmon vdekjen e katër shtetasve rusë Natalia Burenkova, Sergei Burenkov, Ekaterina Burenkova dhe Nikita Belousov.

Po ashtu, në reagim thuhet se Seksioni konsullor i Ambasadës është në kontakt të vazhdueshëm me agjencitë e zbatimit të ligjit në vend ndërsa shtohet se Rusia pret një hetim të plotë për zbardhjen e shkaqeve të vdekjes së katër turistëve.

Trupat do të riatdhesohen në vendlindjen e tyre.

REAGIMI

“Ambasada Ruse në Shqipëri konfirmon vdekjen e katër shtetasve rusë (Natalia Burenkova, Sergei Burenkov, Ekaterina Burenkova dhe Nikita Belousov) në një hotel pranë qytetit të Kavaya. Seksioni konsullor i Ambasadës është në kontakt të vazhdueshëm me agjencitë e zbatimit të ligjit të vendit dhe po sqaron rrethanat e incidentit. Ne mezi presim një hetim të plotë nga ana shqiptare për shkaqet e vdekjes së rusëve. Familjarët e viktimave janë njoftuar. Trupat do të riatdhesohen në vendlindjen e tyre.”

Ndërkohë, mbetet ende mister shkaku i vdekjes së katër shtetasve rusë në resortin “Gloria Palace” mbrëmjen e djeshme.

Paraprakisht policia dyshoi për një helmim, por nga ekzaminimet del se ata nuk kanë konsumuar gjë në Shqipëri pas kthimit nga Ohri, ndërsa nga verifikimet e bëra në zonën e Saunas rezulton të mos jenë gjetur elementë që mund të shkaktonin asfiksi.

Diçka e tillë ka shtuar dyshimet tek prokurorët se mund të kemi të bëjmë edhe me një vrasje, por mbetet ende herët për të dalë në një përfundim të saktë për mënyrën e kryerjes së saj.

Pas njoftimit për ngjarjen, punonjës të ambasadës ruse shkuan gjatë mbrëmjes së djeshme në hotelin ku katër turistët u gjetën të vdekur. Grupi hetimor është duke kryer edhe verifikime të mëtejshme në lidhje me atë që përfaqësojnë katër rusët e vdekur, gjë që të çojë në zbardhjen e plotë të ngjarjes. /abcnews.al/