Hetimi i nisur nga Prokuroria e Prizrenit për vdekjen e dyshimtë në qelitë e paraburgimit të aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari shtrihet edhe në Shqipëri. Gjykata e Tiranës ka pranuar ekzekutimin e një letërporosië të palës kosovare për marrjen në pyetjet të ekspertit mjeko-ligjor Besim Ymaj. Ndërkohë të premten avokati i familjes Dehari i kërkoi kryeministrit të Kosovës kryerjen e një ekspertize të pavarur në Lozanë të Zvicrës.
Vdekja e dyshimtë e aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari, në qelitë e paraburgimit të Prizrenit në Kosovë në nëntor të vitit 2016 shkaktoi tërmet në politikën kosovare dhe u përcoll me protesta nga shoqëria civile.
Hetim i nisur nga Prokuroria e Prizrenit për zbardhjen e rrethanave të vdekjes së të riut ka përfshirë së fundmi edhe sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Pak ditë më parë Gjykata e Tiranës i ka dhënë dritë jeshile ekzekutimit të një letërporosie të autoriteteve kosovare të drejtësisë për këtë rast. Përmes një vendimi të shpallur në 24 dhjetor, dispozitivi i të cilit u sigurua nga “ABC News”, gjyqtari Ahmet Metaliaj lejon ekzekutimin e kërkesës së hetuesve kosovarë për të marrë në pyetje ekspertin mjeko-ligjor, Besim Ymaj, ish-drejtues i Institutit të Mjekësisë Ligjore në Tiranë.
Ymaj është një nga dy ekspertët e pavarur të angazhuar nga familja e të ndjerit Dehari, të pranishëm gjatë kryerjes së autopsisë së 26 vjeçarit të ndjerë.
I kontaktuar nga “ABC News” përmes telefonit, avokati i familjes Dehari, Tom Gashi, sqaroi se eksperti shqiptar Ymaj do të pyetet në cilësinë e dëshmitarit, bazuar në një kërkesë të Prokurorisë së Prizrenit.
Duke iu referuar konkluzionit të dy ekspertëve të pavarur, Besim Ymaj dhe Besim Latifaj, avokati theksoi se në ne trupin e Astrit Deharit ka pasur shenja të dhunës dhe se vdekja e tij është e dhunshme e që në gjuhën jurdike konsiderohet vrasje.
Nga ana tjetër, kur na ndajnë vetëm pak ditë nga 1 vjetori i ngjarjes, avokati ka kërkuar një tjetër ekspertim.
Ai i ka drejtuar një kërkesë kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, për të angazhuar Qendrën Universitare të Mjekesisë Ligjore në Lozane të Zvicrës për një ekspertizë të pavarur të vdekjes së Astritit.
Kjo është një kopje e shkresës së protokolluar të premten në zyrën e kryeministrit kosovar.
Astrit Dehari ndërroi jetë në 5 nëntor 2016 teksa mbahej në qelitë e paraburgimit, si një nga personat e dyshuar për sulmin me mortajë ndaj Kuvendit të Kosovës në gusht të vitit të kaluar.
https://www.youtube.com/watch?v=MB5d73TEGN0