Ka ndërruar jetë i dënuari me burgim të përjetshëm Andon Mëhillaj, anëtari i bandës të Juljan Sinanaj. Sipas burimeve të “Abc News”, mjekët dyshojnë se shkak i vdekjes ka qenë një arrest kardiak, ndërsa Mëhillaj ndërroi jetë rrugës për në Spitalin e Burgut në Tiranë. Jashtë kameras edhe bashkëshortja e tij që jeton në Vlorë me dy fëmijët e tyre pohon se ai vuante nga zemra, përpara se të arrestohet.
Familjarët e tij hedhin dyshime të forta kur thonë se 44 vjeçarin e vrau shteti pasi nuk i është dhënë në kohë ndihma mjekësore. Burime brenda burgut të Peqinit pohojnë se prej dy javësh në këtë burg nuk ka mjekë, pasi drejtori i ka pushuar dhe nuk i ka zëvendësuar.
Edhe disa të afërm që ndodheshin tek morgu në kryeqytet kanë thënë se Mëhilli vuante nga disa sëmundje dhe dy javë më parë ka kaluar një parainfarkt. Ndërsa avokati i tij qartëson se mjekohej dhe për çrregullime nervore.
“Ka pasur me vete një trastë me ilaçe që ishin antidepresantë. Ka pasur tentativë për vetëvrasje gjatë kohës që ka qenë në burg. Ai ka prerë damarët, por fatmirësisht iu dha ndihma e shpejtë dhe shpëtoi”, tregoi avokati.
Avokati, Edmond Dema ka sqaruar se tek problemet e tij shëndetësore ka ndikuar dhe pritja e gjatë për tu gjykuar nga Gjykata e Lartë.
“Kemi pasur gjyqin në mes. Gjatë gjithë kohës ai ka pretenduar për pafajësi, ky ka qenë shqetësimii tij i vetëm. Ndoshta koha e gjatë mund ti ketë lodhur mendjen edhe zemrën”, tha më tej avokati.
Mëhillaj është dënuar në vitin 2014 si anëtar i bandës së Sinanajt si sekser i tij për kryerjen e vrasjeve me pagesë. Ai gjithashtu kryesonte bandën e tritolit në Vlorë. Pas arrestimit të Juljan Sinanaj në 2014, ky i fundit bashkëpunoi me policinë dhe zbuloi skemat e krimeve dhe emrat e bashkëpunëtorëve. Mes tyre dhe atë të Andon Mëhillajt.
/abcnews.al