Është regjistruar si vrasje, vdekja e 4 turistëve nga Rusia në Qerret të Kavajës. Materialet hetimore për vdekjen e 4 turistëve rusë janë regjistruar në një procedim pa emër për veprën penale të “Vrasjes”.
Grupi hetimor pas mbledhjes së zhvilluar sot, vendosi të regjistroj hetimin nën këtë akuzë, pavarësisht se nuk kanë dalë në një përfundim, pasi janë në pritje të përgjigjes së analizave të ujit si dhe autopsisë së trupave të katër viktimave.
4 rusët humbën jetën më 15 tetor në një hotel në Qerret të Kavajës. Viktimat janë Natalia Burenkova, 58 vjeçe, Sergei Burenkov, 60 vjeç, Nikita Belousov, 37 vjeç dhe Ekaterina Burenkova 31 vjeçe.
Shtypi rus shkruan se e 58-vjeçarja vuante nga kanceri dhe për këtë arsye nuk është futur në saunë, pasi janë gjetur pranë pishinës dimërore.
Në momentin kur u gjetën të vdekur ata ishin të veshur me veshje të përshtatshme për pishinë por nuk është e qartë nëse ata u futën aty.
Ndërsa të afërmit e viktimave kanë deklaruar se asnjëri prej tyre nuk konsumonte alkool ose lëndë narkotike. Shkaku i vërtetë i vdekjes pritet të përcaktohet pas rezultateve të autopsisë. /abcnews.al/