Vazhdon trendi i rritjes së numrit të infeksioneve seksualisht të transmetueshme

schedule19:52 - 8 Mars, 2024

schedule 19:52 - 8 Mars, 2024

Në Evropë, trendi i rritjes së numrit të infeksioneve seksualisht të transmetueshme vazhdoi edhe në vitin 2022. Krahasuar me vitin 2021, janë regjistruar 48 për qind më shumë raste të ‘gonorresë’, 34 për qind më shumë raste të ‘sifilizit’ dhe 16 për qind më shumë raste me ‘klamidia’, njoftoi këtë të premte Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve.

“Ne duhet t’i japim përparësi edukimit të shëndetit seksual, të zgjerojmë aksesin në shërbimet e testimit dhe trajtimit dhe të luftojmë stigmën që lidhet me sëmundjet seksualisht të transmetueshme. Nismat e edukimit dhe ndërgjegjësimit janë jetike për fuqizimin e individëve për të marrë vendime të informuara për shëndetin e tyre seksual”, tha drejtoresha e ECDC, Andrea Amon.

Ajo vuri në dukje se promovimi i përdorimit të rregullt të prezervativit dhe të folurit më hapur për sëmundjet seksualisht të transmetueshme mund të ndihmojë në uljen e shkallës së transmetimit.

Disa vende tashmë kanë futur masa të reja, kështu që Franca, siç njoftoi presidenti Emmanuel Macron, ka bërë prezervativët pa pagesë për personat e moshës 18 deri në 25 vjeç që nga janari i vitit të kaluar.

Sipas të dhënave të vitit të kaluar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, më shumë se një milion infeksione seksualisht të transmetueshme regjistrohen në mbarë botën çdo ditë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!