Ukraina goditi rajonet ruse me raketa dhe dronë të mërkurën, ndërsa Kievi tha se po përparonte më thellë në operacionin më të madh të huaj në Rusi për disa dekada, për të cilin Shtëpia e Bardhë tha se paraqet një “dilemë të vërtetë” për presidentin rus Vladimir Putin.
Pedagogu i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritan Hoti, i ftuar në “Special Report” u shpreh se ofensiva e fundit rrit pjesën morale dhe psikologjike të ushtarëve të Ukrainës.
Ai u shpreh se ofensiva është një sfidë e hapur për Vladimir Putin dhe gjasat për arritjen e një paqeje janë shumë të largëta.
“Kjo ofensivë rrit moralin e ushtrisë së Ukrainës. Ishte një sulm, një ofensivë e befasishme, që ndërthur në vetvete disa aspekte. Patjetër që janë larg paqes pasi kjo është një sfidë e hapur. Kjo është një sfidë që i bëhet atij [Vladimir Putinit], dhe ka shumë pak gjasa që të rikthehemi në pozitë paqeje”, theksoi ai.
Më tej, profesor Hoti, thotë se vendet perëndimore do vijojnë të ushqejnë “oreksin” e ushtarëve të Ukrainës për të përparuar më tej, në ofensivën e tyre.
“Ai do të tentojë të zmbrapsë këtë ofensivë. Perëndimi do jetë i motivuar për të furnizuar ushtrinë ukrainase. Jemi shumë larg paqes, nisur nga ofensiva e Ukrainës në Rusi”, tha ai.
Autoritetet ruse ndërkohë kanë shpallur situatën e jashtëzakonshme, ndërsa kanë paralajmëruar përgjigje të ashpër për Ukrainën./ abcnews.al