Mbrojtja e Kadri Veselit ka vijuar me paraqitjen e fjalës përfundimtare në gjykatë, duke kundërshtuar fuqishëm pretendimet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe duke theksuar se ndaj tij nuk ekziston asnjë provë për përfshirje në krime.
Avokati mbrojtës, Rodney Dixon, deklaroi se procesi është karakterizuar nga standarde të dyfishta në vlerësimin e dëshmitarëve. Sipas tij, ZPS-ja ka thirrur dëshmitarë për të mbështetur versionin e saj të ngjarjeve, por njëkohësisht ka sulmuar dëshmitarë të tjerë dhe ka shmangur marrjen e përgjigjeve nga persona që, sipas mbrojtjes, kanë qenë të besueshëm.
Ai ngriti pikëpyetje mbi mënyrën se si gjykata mund të mbështetet në pjesë të caktuara të dëshmive për të arritur në një vendim fajësie përtej dyshimit të arsyeshëm, ndërsa pjesë të tjera të të njëjtëve dëshmitarë konsiderohen të pabesueshme. Sipas tij, ka pasur raste kur persona kanë gënjyer nën betim dhe nuk kanë thënë të vërtetën.
“Dëshmitarët e thirrur nga ZPS-ja janë thirrur për pohimin e vërtetësisë të qëndrimit të saj. Por, në të njëjtën kohë ne kemi parë që ZPS-ja ka sulmuar dëshmitarë dhe kemi pasur persona të vërtetë prej të cilëve ZPS-ja nuk ka marrë përgjigje, derisa gënjeshtarëve u ka dhënë mundësi për t’i dhënë përgjigjet e tyre.
Kështu që, si është e mundur që gjykata të mbështetet në pjesë të caktuara të dëshmitarëve për të dhënë vendim fajësie përtej dyshimit të arsyeshëm, ndërkohë që për të tjerët thuhet se nuk mund të besohen për asnjë aspekt? Ka pasur persona që kanë gënjyer nën betim, duke mos e thënë të vërtetën”, ka deklaruar Dixon.


