Vazhdojnë luftimet në Kursk, forcat ukrainase përparojnë 10 km në Rusi

schedule13:56 - 8 Gusht, 2024

schedule 13:56 - 8 Gusht, 2024

Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi sot se luftimet vazhdojnë në rajonin e Kursk, i cili ndodhet në kufi me Ukrainën dhe që prej të martës ka qenë skena e një sulmi të befasishëm nga forcat ukrainase.

“Operacioni për shkatërrimin e formacioneve të ushtrisë ukrainase vazhdon,” tha ministria ruse në një deklaratë, duke siguruar se po bën gjithçka që është e mundur për të penguar përpjekjet e forcave ukrainase për të depërtuar thell në rajonin e Kursk.

Përveç kësaj, zëvendësguvernatori i rajonit të Kursk pohoi se situata atje është “stabile dhe nën kontroll”.

Në Kiev, këshilltari i presidencës Mykhailo Podoliak theksoi sot se pushtimi ukrainas i rajonit rus të Kursk, i cili po vazhdon prej dy ditësh, është pasojë e sulmit rus kundër Ukrainës.

Trupat ukrainase kanë avancuar deri në 10 kilometra në Rusi në inkursionin më të madh ukrainas në territorin rus në dy vite lufte.

Forcat ukrainase pushtuan rajonin jugperëndimor të Kursk të martën në mëngjes, duke vendosur rreth 1000 trupa dhe më shumë se 22 automjete të blinduara dhe tanke, sipas ushtrisë ruse.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!