Vau i Dejës rrit 43% tarifën për mbetjet, Ademi: Ligji e ndalon 3 muaj para zgjedhjeve

schedule20:40 - 5 Janar, 2021

schedule 20:40 - 5 Janar, 2021

Në këtë periudhë të vështirë prej pandemisë Bashkia e Vaut të Dejës do të rëndojë financat e qytetarëve pasi këshilli bashkiak ka vendosur një rritje prej 43% të tarifës të depozitimit të mbetjeve urbane. Nga vendim duke nisur nga ky muaj i parë i vitit do të preken banorët e dy qarqeve Shkodër dhe Lezhë.

Sipas vendimit paratë që do të mblidhen do ti kalojnë shoqërisë ndërkomunale Bushat ku dhe ndodhet landfilli. Pra qytetarët shkodranë paguanin për këtë shërbim 5.600 lekë në vit dhe nga 2021 do të duhet të shpenzojnë  6.500 lekë. Ky vendim që i është dërguar Bashkisë së Shkodrës për t’u zbatuar është kundërshtuar nga kryetarja në detyrë Voltana Ademi e cila e konsideron të paligjshëm.

“Një vendim i tillë për rritjen me 43% të tarifës, nuk ka asnjë bazë ligjore, nuk ka asnjë analizë tekniko ekonomike që arsyeton kete rritje tendencioze të pa pritur. Vërej që Landfilli i Bushatit është ndërtuar me fonde publike dhe është në pronësi të Ministrisë dhe jo të një bashkie” tha ajo. Ademi përmend dhe një shkelje tjetër.

“Ligji për vetëqeverisjen vendore dhe për financat nuk lejon asnjë ndryshim të sistemit tarifor në këtë mënyrë, e për me teper një rritje e tarifave vendore është e papranueshme 3 muaj para zgjedhjeve. Kjo është një aferë korruptive, një vjedhje e hapur që i bëhet banorëve dhe bizneseve të dy qarqeve Shkodër dhe Lezhë”.

Kryetarja në detyrë e Bashkisë Shkodër publikon dhe përgjigjen e marrë nga Prefektura e qarkut ku citohet se nuk ka informacion për këtë vendim. Në lidhje me këtë vendim, Bashkia e Shkodrës i është drejtuar me shkresë zyrtare Ministrisë së transportit dhe Infrastrukturës, Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve, Prefektit të Qarkut Shkodër, duke kërkuar trajtimin me përgjegjësi të kësaj çështje kaq sensitive.

“Këto janë vendime të paligjshme dhe për me teper ashtu sikurse institucioni i Prefektit të Shkodrës, me daten 31 dhjetor konfirmon me shkrese, Vendimi i Keshillit të Bashkisë Vau i Dejes nuk eshte depozituar ndonjehere, për të marrë shprehjen e ligjshmërise nga Prefektura”.

Me tej me një komunikatë për mediat ka reaguar dhe shoqëria ndërkomunale Bushat. Sipas saj rritja e taksës u kërkua për shkak të shtimit të personelit dhe të rritjes së pagës minimale me 30 mijë lekë.

“Si pasojë e rritjes së volumit të mbetjeve në landfill është rritur numri të i punonjësve për pasojë dhe rritja e shpenzimeve, por edhe kostot e tyre si rezultat i rritjes të nivelit minimal të pagës me VKM  nga 24.000 lekë në vitin 2017, në 26.000 në vitin 2019 dhe më pas në 30.000 lekë në janar të vitit 2021”.

Një tjetër arsye sipas shoqërisë ndërkomunale Bushtat është dhe nevoja për investime. “Në bazë të Ligjit Nr.10 463, datë 22.9.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” i ndryshuar, ka qenë e nevojshme të kryehen një sërë investimesh në Landfill për të përmbushur kërkesat që vijnë nga respektimi i mjedisit, investime të dokumentuara dhe të pasqyruara si dhe në pritje për tu bërë. Pavarësisht se kompania është e pajisur me leje mjedisore tarifat në Landfill nuk i përgjigjeshin këtyre lejeve”./ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!