“Vatra, qeveria shqiptare në mërgim”, Ilir Ikonomi rrëfehet në “Real Story”: Pse zgjodha të shkruaja një libër për Fan Nolin

schedule20:21 - 28 Nëntor, 2023

schedule 20:21 - 28 Nëntor, 2023

Një biografi e re është sjellë nëpërmjet një libri për Fan Nolin, një prej figurave më të shquara të kulturës shqiptare. Libri “Apostulli” i Ilir Ikonomit përshkruan Nolin që nga periudha në SHBA në 1906 deri në vitin 1920, kur kthehet në Shqipëri. Ikonomi, i ftuar në “Real Story” me gazetarin Sokol Balla, tregoi detaje.

“E para njerëzve iu pëlqen një personazh kryesor në libër. Ne na pëlqen të lexojmë letërsi artistike të gjithë por përbëhet nga personazhe. Pse na pëlqen të kemi një personazh? Nëpërmjet veprimeve të tij, fjalëve të tij, të njihemi me të tërën me gjithë komplikimet. E njëjta gjë edhe me këta njerëz, por këta kanë qenë vizionar. Faik Konica dhe Fan Noli kanë qenë dy vizionar dhe nuk është e lehtë të ishe vizionar në atë kohë në Boston, ku kishte 30 mijë shqiptarë në vitin 1908. Këta njerëz ndikuan që Vatra, organizata që i mbështillte shqiptarët, ishte si një qeveri e Shqipërisë në mërgim. Është qeveri në mërgim se me paratë e Vatrës, e shqiptarëve të thjeshtë që iu binte bretku nëpër fabrikat e Amerikës, u dërguan delegatët në Evropë, në Paris për të lobuar që Shqipëria të mos copëtohej dhe kjo ka qenë ideja e Nolit dhe nga kjo ka lindur vargu i famshëm “Mbaju nënë mos ki frikë se ke djemtë në Amerikë”. Në 1917, me nismën e Nolit shqiptarët filluan një fushatë të madhe për të mbledhur para për këtë Shqipëri që është sot dhe u mblodhën 20 mijë dollarë në atë kohë, që në vlerën ishin gjysmë milionë dollarë dhe këto duheshin për të mbajtur delegatët shqiptarë në konferencën e paqes në Paris që do të bëhej më vonë në 1920.”, theksoi Ikonomi.

Por përse zgjodhi të publikonte një libër për figurën e Nolit?

“Kam zgjedhur të shkruaj për Nolin sepse vetë ka shkruar shumë, ka folur shumë. Ai ka lënë një dokumentacion, një arkivë të pasur pas vetes, fjalime të panumërta dhe mbi të gjitha ide si askush tjetër dhe prandaj vendosa që nga 1906 kur arrin në Amerikë deri në 1920 kur niset drejt Shqipërisë, kjo periudhë më duket shumë interesante sepse përkon me fillimet e shtetit shqiptar dhe vendosa t’i dedikoj një libër të plotë. Në fakt në kohën kur Noli ishte në Boston, ishte shumë bashkues, ndryshe nga periudha tjetër dhe më pas vjen në Shqipëri, një vend gjysmë feudal në atë kohë dhe donte bënte reforma të thella dhe këtu lind problemi. Kishte një vizion si askush tjetër, më pëlqeu ideja që ishte vizionar dhe inovator dhe prandaj mendova se ia vlente të shkruaja një libër të tërë.”, shtoi ai./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!