Vasili: Institucionet lanë peng pronat shtetërore për të marrë kredi kompania e inceneratorit të Tiranës

schedule14:08 - 7 Prill, 2022

schedule 14:08 - 7 Prill, 2022

Nënkryetari i LSI Petrit Vasili, këtë të enjte ka publikuar fakte të reja në lidhje me aferën e inceneratorëve.

Në një deklaratë për mediat Vasili shprehet se shprehet se paratë publike janë shpërdoruar dhe plaçkitur, në rrethin e ngushtë të koncesionarit, kryetarit të bashkisë dhe kompani të zyrtarëve të tjerë shtetërore.

Ndër të tjera ai shprehet se skandali dytë tjetër i madh që trajton qartë marrëdhëniet koncesionar-Bashki Tiranë është edhe kontrata për marrjen e 12 automjeteve me kontratë huapërdorje nga koncesionari i Inceneratorit të Tiranës për Policinë Bashkiake me sebepin e pandemisë.

Deklarata e plotë:

Jemi sot për të denoncuar të tjera fakte të rënda që lidhen me aferën e inceneratorëve. Në mënyrë skandaloze institucionet shqiptare, qeveria e pushtetit lokal, Bashkia e Tiranës dhe MIE miratojnë marrjen e 8 milionë eurove kredi nga Klodian Zoto pikërisht në 4 nëntor të vitit 2021 ndërkohë që për çështjen kishte filluar hetimi dhe sekuestrimi i dokumentacioneve.

Në marrëveshjen e inceneratorëve, thuhej në mënyrën më skandaloze se koncesionari, pra Zoto dhe kompani kishin të drejtë të linin peng dhe kolateral pronat dhe asetet shtetërore, sheshet dhe servitutin e kalimit si dhe të ardhurat e përfituara, pra gjithçka.

Banka përkatëse, ku koncesionari kishte bërë kërkesën për kredi në mënyrë të përgjegjshme karshi likuiditeve të saja i kërkon koncesionarit të njoftojë autoritetin kontraktor(MIE) dhe të marrë konfirmim me shkrim nga Bashkia Tiranë për të vendosur si garanci pagesat dhe asetet shtetërore. Këto dy të fundit nuk bëjnë as më të voglin kundërshtim dhe lejojnë marrjen e kredisë e cila disbursohet rreth 6.9 milionë euro në tranzhin e parë.

Kaq e patolerueshme dhe e rëndë bëhet situata sa vetë banka detyrohet që pas marrjes së informacioneve mediatike të ndërpresë dhënien e tranzhit të fundit prej 1.1 milionë euro pasi kishte dyshime lidhur me koncesionarin dhe veprimatarinë e tij dhe për këtë gjë në datën 7 dhjetor i drejtohet zyrtarisht kompanise duke refuzuar disbursimin.

Pra të nderuar qytetarë, në vend që detyrën e mbrojtjes së interesit publik ashtu siç e kanë për detyrë ta kryenin qeveria dhe Bashkia e Tiranës këtë e bën banka private.

Skandali dytë tjetër i madh që trajton qartë marrëdhëniet koncesionar-Bashki Tiranë është edhe kontrata për marrjen e 12 automjeteve me kontratë huapërdorje nga koncesionari i Inceneratorit të Tiranës për Policinë Bashkiake me sebepin e pandemisë. Koncesionari nuk ka asnjë lidhje me aktivitete që lidhen me shitjen apo dhënien me qira të automjeteve, por ka për detyrë incenerimin dhe trajtimin e mbeturinave sipas marrëveshjes përkatëse.

Dokumentat e provojnë qartë këtë gjë sepse koncesionari i ka marrë ato po me qira nga kompani që kryejnë këto shërbime por këtu vjen edhe një fakt tjetër akoma dhe më interesant. Nga dokumentat që ne disponojmë për një pjesë të automjeteve për katër prej tyre janë marrë nga kompania Alba Rent me administratore Elda Gonxhja, bashkëshortja e Drejtorit të Përgjithshëm të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhja. Vetëm për këto katër automjete për të cilat ne disponojmë kontratën kompania koncesionare paguan një shumë vjetore prej 38.400 euro qira.

Pra, është shumë e qartë sesi janë shpërdoruar paratë publike dhe plaçiktur ato në rrethin e ngushtë të koncesionarit, kryetarit të bashkisë dhe kompani të zyrtarëve të tjerë shtetërorë duke bërë batërdi me paratë publike.

Këto janë disa dokumente që ne na u vunë në dispozicion është sigurisht e qartë që SPAK ka të gjitha mundësitë dhe fuqinë ligjore për t’i zbardhur deri në fund për t’i çuar përgjegjësit para ligjit por dhe për të informuar dhe opinionin publik shqiptar mbi gjithçka ka ndodhur./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!