Varrezat greke rrezikojnë stadiumin e Përmetit

schedule15:35 - 17 Maj, 2022

schedule 15:35 - 17 Maj, 2022

Në këtë histori ka dy fakte që dihen. Së pari, që fusha e aneksit të stadiumit të Përmetit po dëmtohet nga gërmimet për kërkimin e varreve të ushtarëve greke të vrarë në Luftën e Dytë Botërore.

Së dyti, që ekipi i futbollit të Përmetit ra edhe nga Kategoria e Dytë, ndërsa në Këshillin Bashkiak thonë se arsyeja kryesore e kësaj rënieje ishte lënia pa financim.

Anëtari i Këshillit Bashkiak, Dritan Hoxha, informon në linjë telefonike nga Përmeti për Abc-në se në qytet ekziston shqetësimi se me rënien në Kategorinë e Tretë dhe me mungesën e financimit po shkaktohet shkatërrimi i ekipit.

Kjo gjë, dyshon Hoxha, mund të lehtësojë vazhdimin e gërmimeve edhe në sipërfaqen e stadiumit, madje në opinionin publik në qytet thuhet se kështu do të bëhet.

Gërmimet për gjetjen e varreve të ushtarëve grekë, që humbën jetën në luftën italo-greke në vitet 1940-1941, po bëhen në bazë të një marrëveshjeje ndërqeveritare të Tiranës dhe Athinës.

Anëtari i Këshillit Bashkiak, Hoxha, thotë se autoritetet vendore, përfshi edhe nënprefektin, thonë se nuk dinë asgjë lidhur me projektin, pra nëse do të dëmtohet stadiumi, dhe nëse pas përfundimit të gërmimeve gjithçka do të kthehet siç ishte, apo ndoshta do të ngrihet një varrezë pikërisht aty.

Ndërkaq, Përmeti për momentin është pa ekip dhe nëse do të konkurrojë në Kategorinë e Tretë, ndeshjet do të fillojnë vetëm në dhjetor. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!