Një varresë, që daton në dy periudha të ndryshme historike helenistike dhe mesjetare, është zbuluar në Shënmëri të Tiranës. Gjatë gërmimeve, arkeologët kanë zbuluar struktura funerare që përmbanin enë qeramike, stoli prej argjendi, bronzi, hekuri dhe qelqi, si dhe objekte personale.
Erikson Nikolli, përgjegjës i sektorit të monitorimit të veprimtarisë arkeologjike nëntokësore dhe nënujore, i ftuar në emisionin “ABC-ja e mëngjesit”, tha se ishin banorët që njoftuan për gjetjen e disa objekteve, dhe pas inspektimeve, rezultoi se kishin me objekte të rralla arkeologjike.
Nikolli tha se lokaliteti i varrezës ishte midis dy kalave, dhe mund të ketë edhe gjetje të tjera.
“Ne e dimë që Tirana ka pasur vendbanime por është hera e parë që zbulohet një varrezë mesjetare e Arbrit që na flet për një shtrirje hapësinore të kulturës në të gjithë territorin e Arbërit. Kjo përkon edhe me gjetjen arkeologjike që zbulojmë në Shënmëri. Të dhënat erdhën nga banorët vendas pasi gjatë rrugës kishin dalë në pah objekte arkeologjike. Instituti e ka detyrim dhe verifikimin në terren të çdo informacioni që na vijnë dhe pas verifikimit, shohim nëse kemi të bëjmë me njësi për rëndësi apo është ndonjë gjë që s’ka lidhje me arkeologjinë. Me shumë mundësi nuk është vetëm kjo varrezë në zonë, ishte në një kodër dhe është ripërdorur në shumë periudha kohore.
Lokaliteti i varrezës ndodhet midis kalave, e Skrepit dhe Shëngjinit. Kjo zonë ka një gjë më specifike. Kudo në këtë zonë gjejmë emra të krishterë, si Shën Mëri, Shën Pjetër, që tregon se ka pasur aktivitet të lartë kishtar dhe mundësia që të ketë edhe struktura kishtare është e madhe.”, u shpreh Nikolli./abcnews.al