Varianti AB5 i Omicron 10 herë më tepër ngjitës

schedule17:00 - 19 Korrik, 2022

schedule 17:00 - 19 Korrik, 2022

Prej më shumë se një muaji, në vendin tonë ka një rritje të ndjeshme të rasteve me Covid 19. Arsyeja sipas specialistëve të shëndetit mendohet të jetë qarkullimi i nënvariantit të ri Omicron. Sipas profesor doktor Arben Pilaca, mjek infesiolog i spitalit Hygeia, ky nënvariant është 10 herë më ngjitës, por për fat të mirë jo aq agresiv sa të tjerët.

“Duket se ky nënvariant është me një aftësi transmetuese 10 herë më të lartë se sa paraardhësit e tij. Kështu siç e shikoni ka një rritje të njerëzve të infektuar.jo vetëm në Shqipëri, ky është një fenomen që po ndodh kudo, sidomos në hemisferën veriore. Ne duhet të përmendim që vërtet është rritur numri i rasteve, por kemi forma më të lehta klinike. Sigurisht numri i pacientëve në spital është rritur, sepse duke pasur një numër kaq të lartë infektimesh, mes tyre mund të ketë edhe njerëz me imunitet të dobët, që kanë nevojë për trajtim spitalor. Por me aq informacion që kam unë, numri i të shtruarve në terapi intensive, që kanë nevojë për trajtim respirator, është në shifra të kontrollueshme. Në vazhdim do të kemi rritje. Siç shihet edhe pozitiviteti i analizës është 40%. Nëse 10 persona testohen 4 dalin pozitiv. “

Mjeku ka disa këshilla për qytetarët në këtë periudhë.

“Të gjithë njerëzit kur kanë dyshime që kanë probleme të ngjashme respiratore, me kollë me tështimë, me temperaturë, me dhimbje fyti, e mira është të testohen. Duhet të dinë si të sillen përballë personave që janë të dobët. Duhet të kenë parasysh të moshuarit, ata që kanë sëmundje kronike. Edhe izolimi për disa ditë është I nevojshëm për të dhënë kontribut në parandalimin e covid. Edhe ekspertët e shëndetit duhet të rekomandojnë mbajtjen e maskave, të paktën në ambiente të mbyllura.”

Mjeku apelon gjithashtu edhe për vaksinimin, pasi edhe pse nuk të mbron nga infektimi, e kalon infeksionin më lehtë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!