Varhelyi për ABC: Komuniteti Politik Europian sjell përfitime për Ballkanin

schedule16:36 - 8 Qershor, 2022

schedule 16:36 - 8 Qershor, 2022

Nga Erisa Zykaj

“Ballkani i Hapur” nismë e mirë vetëm nëse bazohet në parimet dhe vlerat e BE-së.

I ftuar në ditën e dytë të samitit të nismës “Ballkan i hapur”, ku u mblodhën udhëheqës të vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor, komisioneri për politikën e fqinjësisë dhe zgjerimit, Olivér Varhelyi i është përgjigjur pyetjeve të ABC mbi nismën e Ballkanit të hapur. Në samitin e zhvilluar përgjatë dy ditëve në Ohër, mungoi sërish Kosova, qeveria e së cilës vazhdon të insistojë në realizimin e procesit të Berlinit, e jo të kësaj nisme, të cilën e konsideron si “nismë serbe”. Komisioneri Olivér Varhelyi është prononcuar për ABC dhe mbi propozimin e presidentit francez, Emannuel Macron për krijimin e Komunitetit Politik Evropian.

Lidhur me pyetjen se si e sheh nismën e Ballkanit të Hapur dhe a ka përplasje me procesit e Berlinit të nisur në 2014 me lidershipin e ish kancelares gjermane, Angela Merkel, komisioneri Varhelyi u shpreh si vijon:

Olivér Varhelyi, komisioner për zgjerimin:

“Eshtë një nismë shumë e mirë. Eshtë shumë e rëndêsishme për rajonin dhe jam i kënaqur të shoh, që kjo nismë buron nga vetë rajoni. Ne nuk flasim kurrë për integrimin e vërtetë të vendeve të rajonit. Deri tani në fokus kanë qenë “proceset e qasjes në Bashkimin Evropian”, si procesi i anëtarësimit, apo konferencat ndërqeveritare. Integrimi i vërtetë ndodh kur shoqëria dhe ekonomitë e rajonit zhvillohen së bashku. Në këtë mënyrë, ekonomia dhe shoqëria e vendeve të rajonit mund të bëhen të krahasueshme me nivelin e standarteve të Bashkimit Europian dhe të ndërlidhura me të. Pra, mendoj, se kjo nismë mund të shërbejë si një instrument për të përshpejtuar procesin e integrimit real të vendeve të rajonit , por sigurisht vetëm nëse ajo bazohet në parimet dhe vlerat e BE-së, siç janë katër liritë themelore. Pjesëmarrja jonë në këtë nismë është për të siguruar që të ketë përputhje”.

Lidhur me propozimin e presidentit francez, Emannuel Macron në 9 maj 2022 mbi krijimin e Komunitetit Politik Europian, i cili do të përfshinte vendet aspirante jo vetëm të Ballkanit Perëndimor, si Ukraina, Gjeorgjia, Moldavia, Turqia, Mbretëria e Bashkuar, dhe vendet anëtare të Bashkimit Europian,Olivér Varhelyi nuk e hedh poshtë idenë e krijimit të Komunitetit Politik Europian dhe as të përfshirjes së vendeve të Ballkanit Perëndimor në të. Komisioneri për fqinjësinë dhe politikën e zgjerimit, Oliver Varhelyi u shpreh, se sheh përfitime për të gjitha palët te kjo ide, e cila ende është duke u formësuar.

Olivér Varhelyi, komisioner për zgjerimin:

“Ky propozim është në formësim, por unë shoh përfitime prej tij. Ishte e rëndësishme që u bë qartësimi, që ky komunitet nuk është një alternativë për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Nëse më lihet mua t’a përkufizoj, për mua Komuniteti Politik Europian do të ishte një ombrellë shumë e rëndësishme politike për BE-në për të treguar vendosmërinë e saj për të bashkëpunuar me fqinjët e saj. Në këtë kuadër, Ballkani Perëndimor ka një vend të privilegjuar. Shumica e tyre është në rrugën e anëtarësimit. Kjo do të lejonte takime të rregullta, si ato, që kemi parë në fillimin e 2020 të intensifikohen në Këshillin Europian, të ketë koordinim më të ngushtë për politikën e jashtme dhe të sigurisë dhe takime të tjera shumë më intesive se më parë. Takimet dhe shkëmbime më të shumta sesa më paë, mund të sillnin përfitime të prekshme jo vetëm për Ballkanin Perëndimor dhe vendet e tjera që janë të gatshme tê marrin pjesë në këtë komunitet, por edhe për Bashkimin Europian. Kjo pasi kjo do të bënte që BE-ja të kuptonte më mirë prioritet dhe shqetësimet e rajonit dhe të krijonte shkëmbime më të ngushta dhe më të mira”.

/Abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!