Varhelyi ngre zërin ndaj BE-së për integrimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut: Nëse ke pushtet dhe nuk e përdor, ky konsiderohet kapitullim i pushtetit tënd

schedule11:14 - 26 Prill, 2022

schedule 11:14 - 26 Prill, 2022

Nga Erisa Zykaj

Komisioneri përgjegjës për politikën e fqinjësisë dhe zgjerimit, Olivér Varhelyi ka bërë një deklaratë të fortë në Sofje lidhur me ngërçin aktual për çështjet bilaterale midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, që është pengesë për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë për hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE.

Cështja për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, është kur do fillojmë procesin e negociatave të anëtarësimit. Nuk mund ta fsheh zhgënjimin tim, që jemi ende duke vazhduar të diskutojmë këtë çështje. Ne menduam, se e kishim zgjidhur dy vjet më parë dhe tani kjo është sërish në tryezë” ka deklaruar komisioneri përgjegjës për politikën e fqinjësisë dhe zgjerimit, Olivér Varhelyi në Sofje, Bullgari.

Nëse ke pushtet dhe nuk e përdor kjo konsiderohet nga të tjerët si kapitullim, dorëzim i pushtetit tënd dhe i kapaciteteve të tua. Ndaj, ne duhet t’i besojmë vetes tonë dhe fuqisë që kemi dhe mendoj, se të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Europian duhet t’i besojnë natyrës transformuese të zgjerimit tê Bashkimit Europian” ka deklaruar komisioneri Varleyi duke shtuar, se ky është mesazhi që përcjelll sërish në Sofje pas vizitës që ka kryer tre javë më parë.

Jam gati të vij sa herë të jetë e nevojshme për të zgjidhur këtë çështje dhe për të qenë gati për në qershor. Lufta në Ukrainë na tregon, se jo vetëm që nuk kemi kohë për të humbur, por nuk kemi as interes për të humbur kohë” ka theksuar komisioneri Varhelyi duke iu referuar nevojës urgjente për zgjidhjen e ngërçit mbi çështjet bilaterale midis Maqedonisë sê Veriut dhe Bullgarisë dhe mundësisë për hapjen zyrtare të negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në qershor, para përfundimit të presidencës franceze të BE-së.
Deklarata e komisionerit është bërë gjatë eventit në Sofje: BE-ja takon Ballkanin Perëndimor. Mësimi i Ukrainës. Zgjerimi i BE-së si antidotë e luftës”./abcnews.al