Josip Maria Bartomeu është rikthyer të flasë rreth VAR-it, por edhe disa temave të tjera. Barcelona po garon me Real Madrid për fitimin e titullit kampion, por disa vendime arbitrare në favor të ekipit të Zidane nuk janë pëlqyer në Katalonjë.
“Ne jemi në favor të VAR-it, por teknologjia nuk po menaxhohet si duhet. Që prej momentit që rifilloi futbolli, janë marrë vendime që kanë favorizuar skuadra të caktuara”, deklaron kreu i klubit katalanas për RAC 1.
Bartomeu vijon edhe më tej, duke u ndalur te merkato. “Messi do të qëndrojë këtu, ka një kontratë deri në vitin 2021, por ne kemi detyrimin ta rinovojmë atë. Leo dëshiron të përfundojë karrierën te Barcelona.
Lautaro Martinez? Do të flasim në fund të sezonit, tani jemi të fokusuar te kampionati. E njëjta gjë për Neymar, por e shoh të vështirë rikthimin e brazilianit, duke parë krizën ekonomike që ka shpërthyer.
Setien? Nuk pendohem për shkarkimin e Valverde, skuadra kishte nevojë për një shkundje. Setien do të vazhdojë me ne. Sa i përket Xavit, di të them që është një trajner i madh dhe një ditë do ta drejtojë Barcelonën“, përfundon Bartomeu. /abcnews.al

