Teknologjia VAR do të përdoret në Ligën e Kampionëve, duke nisur nga muaji Shkurt i vitit të ardhshëm. Ky ishte vendimi i UEFA-s, që vjen pasi FIFA vendosi që VAR të përdorej në Kupën e Botës.
Ky kompeticion nuk duhet të presë më gjatë. Liga e Kampionëve do të ketë të drejtën e përdorimit të teknologjisë VAR, duke nisur që këtë sezon, në ndeshjet e raundit të dytë. Risia në garën më të madhe të klubeve në Europë do të nisë në 16 Shkurt të vitit të ardhshëm, kur të nisin ndeshjet me eleminim direkt. Ky ishte vendimi i marrë nga Komiteti Ekzekutiv I UEFA-s, në mbledhjen e zhvilluar në Dublin të Irlandës, një ditë pas hedhjes së shortit për eleminatoret e Euro 2020-s.
VAR është ndryshimi më i madh i kohëve të fundit në futboll, që shërben për të analizuar momentet e dyshimta për golat e shënuar, pretendimet për penallti, kartonët e kuq direktë apo gabimin në dhënien e një kartoni të verdhë apo të kuq. Teknologjia u përdor në Kupën e fundit të Botës në Rusi, dhe bëri ndryshime të rëndësishme në shumë ndeshje. UEFA njoftoi se VAR do të jetë edhe në finalen e Ligës së Europës të këtij sezoni, në finalet e Ligës së Kombeve dhe në turneun final të Europianit U21 po në vitin 2019.
Sezonin që vjen, teknologjia do të jetë në Champions që nga fillimi. VAR-i po përdoret me sukses në disa nga turnetë kryesorë të Europës si Seria A në Itali, Bundesliga në Gjermani apo Kupa e Anglisë./abcnews.al

