Vanoli: Kush ka punuar te Dinamo duhet të kërkojë falje ku e ka çuar ekipin

schedule11:54 - 10 Prill, 2022

schedule 11:54 - 10 Prill, 2022

Rodolfo Vanoli, trajneri i Dinamos, ka dalë para mediave ditën e sotme dhe ka folur në lidhje me duelin kundër Kastriotit dhe për çështje të tjera në kampin blu. Një gisht për situatën e 18 herë kampionëve të vendit italiani e ka drejtuar te ish-trajnerët e mëparshëm të Dinamos.

“E kemi përgatitur ndeshjen si çdo sfidë. Jemi të vetëdijshëm se në këto tre ndeshje jemi përballur me skuadrat më në formë të kampionatit. Nëse analizohen këto ndeshje, këto tre skuadra ishin në formë Egnatia, Kastrioti dhe Tirana. Ne nuk kemi humbur sepse nuk ishim të aftë për të luajtur, por kemi humbur ndeshjen ndaj Tiranës sepse kemi humbur një penallti dhe me Egnatian nuk kemi bërë një paraqitje në lartësinë e duhur”.

“Sofranac? Sofranac ka thënë se ishte pak konfuz dhe se nuk ishte mirë fizikisht. Njerëzit përpara se të flasin dhe të kritikojnë duhet të njohin ambientin. Unë nuk i pranoj kritikat me dinakëri që i bëjnë klubet e tjera te Dinamo ime. Sofranac do të jetë titullar. Imami është i dëmtuar dhe nuk mund ta aktivizoj. Është hera e fundit që do të flas me emra të përveçëm. Mua më intereson fitorja dhe jo kush aktivizohet”.

“Është evidente që me një të ri flitet në një mënyrë tjetër dhe me një lojtar veteran më ndryshe, për mua më intereson vetëm Dinamo dhe asgjë tjetër. Unë në 10 ditë nuk mund të zgjidh 9 muaj me probleme. Unë kam pranuar këtë post me dashuri dhe pasion, kam njohur presidentin dhe më vjen keq që ta shoh në këtë gjendje për mënyrën se çfarë na jep ne dhe klubit.

Nëse unë kam pranuar, nuk e kam bërë një gjë të tillë se dua të bëj dy muaj kështu, por sepse është një projekt i rëndësishëm. Besoj se Dinamo dhe tifozët e saj meritojnë shumë më kaq. Kush ka punuar për Dinamon duhet të kërkojë falje për aty ku e kanë dërguar klubin.

“Ndaj Tiranës unë kam parë një skuadër ‘zonjë’, ne kemi luajtur shanset tona, kemi pasur mundësi ta fitonim, por humbëm. Unë gjithmonë kërkoj lojtarë që janë mësuar të fitojnë. Skuadrën nuk e kam bërë unë, kam objektiv shpëtimin e skuadrës. Këtij ekipi i mungon vazhdimësia e rezultateve pozitive sepse kjo është e dallueshme nga të gjithë. Nuk mjafton të bësh vetëm një ndeshje të mirë dhe më pas një negative.”

“Kastrioti vjen me disa rezultate pozitive radhazi. Për ne do të jetë një ndeshje shumë e vështirë dhe e rëndësishme. Në botë ka skuadra që luajnë me modul ndryshe, por janë lojtarët ata që bëjnë diferencën. Deri kur matematika do të na e lejojë, unë do të jem gjithmonë i karikuar”, është shprehur Vanoli. / abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!