“E dimë se do të kemi një kundërshtar të fortë përballë, por ne do të bëjmë ndeshjen tonë dhe do të mundohemi të ndryshojmë trendin e rezultateve negative. Futbolli është i tillë, nuk ka garanci dhe nuk i prisja këto rezultate. Skuadra më është përgjigjur e megjithatë sot vlejnë vetëm rezultatet”, kështu do t’a niste deklaratën e tij trajneri i Dinamos, Rodolfo Vanoli, në prag të përballjes me Vllazninë në “Elbasan Arena”.
Ky takim do të luhet ditën e nesërme në “Elbasan Arena” duke nisur që nga ora 16:45, i është shumë i rëndësishëm për blutë, të cilët kanë harruar edhe shijen e fitores prej disa javësh.
Vanoli foli edhe për të ardhmen e tij, për kritikat që kanë ardhur për shkak se akoma në stolin e bluve nuk ka mundur të marrë një fitore, ndërsa ndër të tjera preku edhe mbijetesën, ku sipas tij skuadra nuk është dorëzuar akoma.
E ardhmja- “Kam ardhur këtu me një marrëveshje për tre sezone, me objektiv rikthimin e Dinamos aty ku i takon. Kam ardhur për një projekt të rëndësishëm dhe kurrsesi nuk do të pranoja të vija vetëm për dy muaj. Më vjen keq që nuk ia kemi dalë të përmbushim pritshmëritë.”
Kritikat- “Të gjithë kanë të drejtën për të folur, por unë mendoj se dora e Vanolit në skuadër është ndjerë. Kemi luajtur si të barabartë me të gjithë dhe jemi penalizuar nga episodet. Të gjithë mund të japin opinionin e tyre dhe unë i respektoj.”
Mbijetesa- “Nuk jemi dorëzuar ende, duhet të luftojmë deri në fund, të paktën për respekt të klubit, fanellës dhe tifozëve.” /f.a/abcnews.al