Vanoli: Derbit janë histori më vete, unë nuk e braktis anijen, s’kam frikë nga Kategoria e Parë

schedule19:30 - 28 Prill, 2022

schedule 19:30 - 28 Prill, 2022

“Nuk me pëlqen te flas për fatin ose mungesën e tij , por për çdo gabim qoftë edhe minimal jemi penalizuar shumë. Uroj që duke nisur nga nesër, gjërat të ndryshojnë për mirë. Mendoj që kjo skuadër meriton diçka më shumë për lojën që ka prodhuar”, ka thënë fillimisht Rodolfo Vanoli në konferencën për shty në prag të ndeshjes me Partizanin që do të luhet ditën  e nesërme.

Vanoli gjithashtu foli edhe për derbin, teksa theksoi se skuadra e tij përballë demave do të bëjë një paraqitje të mirë, pasi përballje të tilla s’janë njësoj si të tjerat.

“Për sa i përket derbit, janë gjithmonë ndeshje speciale. Uroj të fitojmë edhe për presidentin, dua t’ia dhurojmë atij suksesin sepse e di sa e vuan situatën e momentit. Jemi me besim dhe të karikuar, besoj se do bëjmë një paraqitje të mirë. Partizani është një ekip i madh dhe i rëndësishëm ne Shqipëri, ashtu si edhe ne. Kanë një trajner shume të mirë, por derbit janë ndeshje jo si të tjerat. Uroj që nga nesër të ndryshojë dhe ky rendiment negativ.

Sofranac s’është në gjendje të mirë fizike dhe mendore dhe nuk po tregon përkushtim ndaj fanellës. U ble si lojtar i rëndësishëm por nuk ka treguar rezultate. Mendoj se kush e vesh ketë fanellë duhet ta dojë dhe ta nderojë. Sipas meje kjo ndjenjë ka munguar tek ai. Mija është i ri, edhe të tjerët që janë lojtarë të së ardhmes së Dinamos unë nuk kam frikë ti hedh në fushë. Me mua të rinjtë kanë luajtur gjithmonë. Për fat të keq i kemi provuar të gjitha por pa rezultat. Është një nga ato sezonet kur gjërat thjesht nuk ecin.

Unë i shikoj lojtarët në stërvitje sesi përpiqen dhe më dëgjojnë. Ata duhet të vazhdojnë të përpiqen por uroj që goli të mos vijë atëherë kur të jetë shumë vonë. Unë nuk e braktis anijen, nuk kam frikë nga Kategoria e Parë. Për mua është një sfidë personale, nuk bëhet fjalë për para. Nuk kam drejtuar kurrë një ekip në Serinë B, por këtu e ndjej si obligim të qëndroj.

Besoj se më takon mua t’ia përcjell vlerat e klubit atyre që do të vijnë. Ata që janë pranë klubit e kanë kuptuar se ndryshimi ka filluar, për fat të keq mungojnë rezultatet dhe ato më penalizojnë. Besoj se sezonin tjetër dikush duhet të shikohet në pasqyrë para se të flasë për ne.

Shpresoj që tifozët ta zerojnë atë çfarë ndodhi sivjet sepse vetëm bashkë mund ta rindërtojmë Dinamon. Unë nuk jam nga ata që dorëzohem.  Nëse tifozët na bashkohen, besoj se mund të shkruajmë një faqe tjetër të historisë së Dinamos”, ka përfunduar tekniku i Bluve. /f.a/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!