Vangjeli: Basha dhe Berisha po mbajnë Ramën në zyrë, Alibali: Tani diskutohet sa do ndahet PD

schedule13:10 - 6 Dhjetor, 2021

schedule 13:10 - 6 Dhjetor, 2021

Analisti Lorenc Vangjeli deklaroi në Abc Live se përplasjet e brendshme brenda Partisë Demokratike po i shërbejnë edhe më shumë qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Ai deklaroi se demokratët që do të marrin pjesë në atë që e cilësoi si mitingu i 11 Dhjetorit do të ekzaltohen një ditë më vonë pa e kuptuar se po shkatërrojnë partinë e tyre.

“Të dy janë duke mbajtur Ramën në zyrë. Ajo që po ndodh na kujton “La fonten”. Kjo nuk është ëndërr po makthi i vërtetë i demokratëve. Historia mund të ndërpritet me Kuvendin e datës 11. Në 11 do të jetë mitingu që dihet se çfarë vendimi do të marrë.

Në datë 12 do shohim ekzaltimin e demokratëve që po shkatërrojnë partinë e tyre. Pastaj mjafton të kalojnë Lanën për të shkuar në godinën e Partisë Demokratike. Nëse dikush mendon se mund të ketë një instrument për të përjashtuar demokratët që kanë qenë atje, ajo nuk do jetë më Parti Demokratike. Se çfarë ndodh më pas me pjesën legale kjo është tjetër histori”, tha Lorenc Vangjeli.

Ndërkohë analisti Neritan Alibali u shpreh se Partia Demokratike nuk është më ajo që ishte para 9 shtatorit dhe tashmë nuk diskutohet më ndarja e partisë por se në çfarë përmasash do të bëhet kjo ndarje.

“Situata ka kaluar në një situatë lufte brenda Partisë Demokratike. Nuk diskutohet më fare që të kemi një parti ashtu si ishte para 9 shtatorit. Çështja qëndron se me çfarë përmasash do bëhet ndarja e Partisë Demokratike. Kalimi i rubikonit është data 11 Dhjetor. Në 11 Dhjetor mbledhja e Kuvendit të PD përbën shkeljen e plotë të statutit të partisë.

Veprimi i logjikës së Bashës është përjashtimi nga partia i Berishës deri te firmëtari i fundit dhe në vend të tyre të komandohen 4200 anëtarë të tjerë të cilët marrin të drejtën për të qenë anëtarë të Kuvendit të PD. Këto shkon logjika. Zoti Berisha nuk do ketë më tagrin që të kërkojë, Basha që të mundi Ramën duhet të mundë Berishën. Berisha për të nxjerrë Ramën nga zyra e vet në radhë të parë duhet të nxjerrë Bashën nga zyra”, tha Alibali.

Për deputetin demokrat Flamur Hoxha, Kuvendi i 18 Dhjetorit do i bashkojë demokratët, përfshirë këtu edhe ata që do të marrin pjesë në takimin e thirrur nga Berisha.

“Nëse flet me çdo demokrat, ata e dinë shumë mirë qëndrimin e tyre dhe as nuk e mendojnë një rrugë që diskutohet në këto momente që po flasim. Kuvendi i datës 18 nuk është Kuvend për të ndarë ata që kanë shkuar në Kuvendin e datës 11”, deklaroi ai. m.v/Abcnews.al