“Vangjel Tavo mund të ketë sukses në Himarë”, Nazarko: Me kandidaturën e tij, tregohet se Shqipëria s’ka asnjë problem me pakicën greke

schedule19:34 - 8 Korrik, 2024

schedule 19:34 - 8 Korrik, 2024

Analisti Mentor Nazarko thotë se kandidati i PS-së Vangjel Tavo mund të fitojë në zgjedhjet për bashkinë e Himarës. Në një intervistë për ABC News, analisti u shpreh se zgjedhja e një figure të tillë nga PS, që i përket minoritetit grek, tregon se Shqipëria nuk ka asnjë problem me pakicën greke reale, pavarësisht asaj pakice të krijuar në Himarë.

“Përbërja demografike e zonës elektorale të Himarës; rezultati historik i PS edhe në Himarë përfshi rikompozimin e kësaj zone elektorale me Vranishtin; karriera e zotit Tavo, nisur nga historiku i saj politik, figurë konsensuale me militancë në radhët e PS dhe LSI, përfaqësues i minoritetit grek dhe eksperienca që ka akumuluar në këto vite në role shtetërore janë faktorë që parathonë suksesin e tij në këto zgjedhje. Preferenca për të se i përket minoritetit grek real është metaforë e bashkëjetesës së suksesshme historike midis popullsisë shqiptare dhe pakicës greke dhe PS nëpërmjet  zgjedhjes së këtij individi synon që këtë metaforë ta shndërrojë në një të vërtetë ndërkombëtarisht përballë telenovelës Beleri.

Në Himarë megjithatë nuk ka minoritet real, por ka një pjesë të shqiptarëve me shtetësi të dyfishtë. Ka gjithashtu një grup të konsoliduar të mbështetur financiarisht nga Greqia, madje si thotë Petro Marko, një figurë e shquar kombëtare nga Dhërmiu, janë financuar nga paratë e bamirësve shqiptarë depozituar në bankat greke të mbretërisë, për t’i shërbyer vendlindjes së tyre. Nuk ka minoritarë realë,  por një grup njerëzish që kanë vetëdije greke, edhe të stimuluar financiarisht, që i bën ata që të jenë të zëshëm, të mbështetur posaçërisht nga Greqia për qëllime aktuale, të kushtëzimit ndërkombëtar apo dypalësh të Shqipërisë. Dhe në këtë kuptim metafora që i përcillet Greqisë por edhe Evropës është që Shqipëria nuk ka asnjë problem me minoritetin real dhe për pasojë as që mund të ketë me atë që është një minoritet i krijuar artificialisht në Himarë”, tha Nazarko. Grekë doni si kryebashkiak? Merrni, një grek të vërtetë, është një kuptim tjetër i metaforës së PS, në Himarë me këto zgjedhje./abcnews.al