Skuadra nuk po e ndjek, por ai po e bën të vetën. Flavio Sulejmani mund të cilësohet si një nga shpresat më të mëdha për sulmin e kombëtares shqiptare, ndërsa këtë sezon ka qenë vendimtar në Itali.
Sulmuesi 19-vjeçar shënoi dy gola të tjerë në kampionatin Shpresa në Itali, ndonëse përballja Lacio-Fiorentina përfundoi 2-2.
Shqiptari I dha epërsinë 2-0 lacialëve me rrjetat në minutat 5 e 16, por shokët e tij nuk e mbajtën dot rezultatin, dhe jo më kot kryeqytetasit janë në vendet e fundit.
Sulejmani ka 7 gola dhe 3 asistë këtë sezon në kampionatin Shpresa në Apenine, dhe kjo vetëm në 16 ndeshje, pra është një nga lojtarët më të mirë në kontributin përpara portës.
Ai ka tundur rrjetën e Fiorentinës, Torinos, Veronës, Sasuolos, Çezenës dhe Kremonezes, ndërsa asistet kanë qenë kundër Interit, Milanit dhe Kremonezes.
Sulejmani ka kaluar me sukses kombëtaret e moshave kuqezi, nga U16 deri në U21, duke shënuar 14 gola në 42 ndeshje, ndërsa ka luajtur dy herë për ekipin Shpresa të Shqipërisë.
Në mars, do të mbushë 20 vjeç dhe padyshim që do të nisë të mendojë për t’u ngjitur në futbollin profesionist, tek Lacio apo kudo qoftë./abcnews.al


