Ish-sulmuesi i Kukësit zyrtarisht nuk është më pjesë e kampionatit shqiptar, por së fundmi ka nënshkruar me gjermanët e Meppen, një skuadër në një nga ligat e Gjermanisë. Ndërkaq, pritet që Kukësi të zyrtarizojë shumë shpejt afrimin e Kristal Abazajt.
Nuk ka më asnjë dyshim tashmë. Ish-futbollisti i Kombëtares dhe Kukësit Valdet Rama, është prezantuar sot te skuadra e Mepen, duke u rikthyer kështu në futbollin gjerman. Pasi i dha fund aventurës me Kukësin, Valdet Rama nuk ka humbur kohë, teksa ka nisur sot aventurën e re në ligën e tretë gjermane.
“Mepen forcohet në sulm me Valdet Ramën, një ëndërr e madhe e trajnerit Kristian Neidhart për shumë kohë. 31-vjeçari ka firmosur kontratë dyvjeçare me opsionin rinovimin në bazë të paraqitjeve të bëra. Ai mund të kishte firmosur më herët, por kishte kontratë me Kukësin deri në përfundim të Kupave të Europës”, shkruan klubi në njoftimin zyrtar.
E ndërkaq, pritet që së shpejti Abazaj një njohje e vjetër e kampionatit shqiptar, me Luftëtarin e Skënderbeun, tashmë shumë shpejt pritet të kalojë te skuadra e Shpëtim Duros.
Abazaj, kartonin e të cilit e zotëron Anderlehti do të jetë futbollisti më i ri i Kukësit dhe pritet vetëm firma në kontratë dhe prezantimi, ndërkohë që orët në vijim mund të jenë vendimtare për të.
Abazaj flitej se kishte një akord me Tiranën, por në fakt bardheblutë nuk kanë arritur të bindin dhe të plotësojnë kushtet financiare të sulmuesit, i cili e njeh mirë futbollin në vend.
Abazaj mund të vihet nën urdhrat e Shpëtim Duros shumë shpejt dhe ndoshta do të jetë i gatshëm që në ndeshjen ndaj Partizanit. Por zyrtare nuk ka ende asgjë për momentin./ABC News Albania 24/7