Vala ekstreme e të nxehtit godet Iranin, temperaturat arrijnë në 49.7 gradë

schedule20:12 - 27 Korrik, 2024

schedule 20:12 - 27 Korrik, 2024

Të paktën 225 iranianë pësuan goditje të nxehtit pasi një valë ekstreme e të nxehtit goditi Iranin, me temperatura që arritën 45 gradë Celsius në disa pjesë të vendit dhe 49.7 gradë në qytetin Delgan.

Një valë e nxehtë i detyroi autoritetet iraniane të shkurtojnë orët e punës këtë të shtunë dhe të urdhërojnë të gjitha institucionet qeveritare dhe tregtare të mbyllen të dielën pasi më shumë se 200 njerëz u pranuan në spitale për goditje të nxehtësisë, raportoi Guardian.

Agjencia iraniane e lajmeve IRNA raportoi se bankat, zyrat dhe institucionet publike në të gjithë vendin do të mbyllen të dielën për të mbrojtur shëndetin e njerëzve dhe për të kursyer energjinë elektrike.

Vetëm shërbimet mjekësore dhe të urgjencës do të funksionojnë. Agjencia e lajmeve Mehr raportoi se 225 persona kërkuan ndihmë mjekësore për shkak të goditjes së të nxehtit dhe se disa prej tyre u pranuan në spital.

Në kryeqytetin e Iranit, Teheran, u regjistrua një temperaturë prej 42 gradë dhe në 10 provinca iraniane temperatura këtë të shtunë kaloi 45 gradë, ndërsa në qytetin Delgan në juglindje të vendit u regjistrua një temperaturë rekord prej 49.7 gradë. Meteorologët paralajmëruan rënie të temperaturës të hënën./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!