Vendet e Evropës Perëndimore janë përfshirë nga vala e të nxehtit duke bërë që në shumë qytete evropiane të shpallet gjendja e alarmit. Ekspertët paralajmërojnë se në ditët në vijim temperaturat do të jenë dhe më të larta.
Vala e të nxehtit ka përfshirë Evropën perëndimore. Temperature rekord janë shënuar jo vetëm në Spanjë, Francë, Portugali dhe Itali; por dhe në Mbretëri të Bashkuar, Belgjikë, vendet e Ulëta, Gjermani dhe Zvicër.
Në Spanjë temperaturat arrijnë më shumë se 40 gradë, e njëjta gjë ndodh dhe në Francë ku 59 departamente janë vendosur në gjendje alarmi.
Në Itali për të enjten parashikohet gjendje alarmi për të paktën 13 qytete mes të cilave dhe Roma e Firence. Mbretëria e Bashkuar mund të thyejë rekordin e 38.5 gradëve.
Gjendje alarmi për shkak të temperaturave të larta për herë të parë është vendosur dhe në Belgjikë. Në Bruksel shërbimet kryesore do të ndalojnë në orën 13, të mërkurën, të enjten dhe të premten.
Zëdhënësja e organizatës metereologjike botërore u shpreh se temperaturat e larta janë pasojë e ndryshimeve klimatike. Në Portugal pasojat e valës së të nxehtit kanë qenë më të rënda. Qendra e vendit është përfshirë nga zjarret që kanë shkaktuar më shumë se 40 të plagosur. Zjarrfikësit për momentin e kanë situatën në dorë por gjithsesi gjendja e alarmit mbetet në fuqi./ABC News Albania 24/7