Nga Erblina Mile
Në një kohë që jemi në prag të nisjes së sezonit turistik përfaqësues të këtij sektori ankohen se procesi i vaksinimit është shumë i vonuar.
Rrahman Kasa, Kryetar i Unionit Turistik shqiptar thekson se autoritetet i kishin premtuar se industria e hotelerisë do të vaksinohej disa javë më parë, por ende nuk ka një datë të saktë të nisjes së tij.
Kjo po penalizon këtë sektor për të marrë prenotime që mbeten shumë minimale.
“Kjo është një pengesë sepse edhe operatorët ndërkombëtarë kanë interes që sa më shpejt të fillojnë rezervimet aq më komod do të ndjehen. Nëse ne i referohemi periudhave normale, psh viti 2019 kujtojmë se në këtë periudhë ishin rezervuar mbi 50% e kapacitetit, ndërsa sot jemi në një fazë ku përqindja është e pakonsiderueshme”, tregon ai.
Pandemia shkaktoi një dëm të konsiderueshëm në sektorin e turizmit në Shqipëri gjatë 2020 duke shkaktuar mungesën e 1.1 miliard eurove.
Po ashtu nga mbi 90 mijë punonjës tashmë numërohen më pak se gjysma e kësaj shifre të cilët duhet të marrin sa më parë injeksionin anti-Covid.
“Mbi 90 mijë punonjës, dhe aktualisht një pjesë kanë humbur vendin e punës për shkak se shumë subjekte që ushtrojnë veprimtari turistike kanë mbyllur aktivitetin, por mendoj se mund të jenë rreth 40 mijë punonjës aktivë”, u shpreh ai.
Turistët besnik të Shqipërisë si polakët dhe çekët duket se ende nuk kanë vendosur për këtë verë.
Ndërkohë risi për këtë vit është interesi i lartë dhe prenotimet nga serbët.
“Këtu përjashtojmë Serbinë e cila ka një rritje të numrit krahasuar me shifrat para periudhës së pandemisë”, u shpreh ai.
Shtyrja e orarit nga 20:00 deri në 22:00 për lëvizjen dhe funksionimin e bareve dhe restoranteve shihet si një frymëmarrje për këtë sektor i cili vijon të jetë në vështirësi serioze.
/abcnews.al/