Fjala “alalum” është më e përshtatshme për të përshkruar situatën momentale të vaksinës AstraZeneca në Gjermani, pasi nuk ka siguri se kush përfiton dhe kush jo nga vaksinimi me të .
Në një takim të jashtëzakonshëm të Ministrit të Shëndetësisë Jens Span me Ministrat e Shëndetësisë të landeve u miratua që vaksina të përdoret vetëm për personat mbi 60 vjeç.
Disa orë më parë, landet Berlin-Brandenburg dhe Nordrhein-Westfalen ishin të parët që ndërmorën këtë hap, si dhe Mynih, i cili ishte alarmuar nga 31 rastet e mpiksjes së gjakut që kishin ndodhur pas vaksinimit.
Me përjashtim të dy burrave, mpiksjet e gjakut u vunë re tek gratë e moshës 20-63 vjeç, ndërsa 9 persona humbën jetën. Sipas të dhënave nga Instituti Paul Ehrlich, efektet anësore u vunë re 4 deri në 16 ditë pas vaksinimit, kryesisht te personat nën 60 vjeç.
Sipas Deutsche Welle, në fund të janarit Komiteti i Vaksinimit kishte lëshuar një rekomandim për vaksinimin me AstraZeneca vetëm për personat e moshës 18 deri 64 vjeç, sepse, siç pretendohej në atë periudhë, nuk kishte të dhëna të plota të efektivitetit të vaksinës tek të moshuarit.
Kohët e fundit, në mes të marsit, pas disa ditësh të ndërprerjes së AstraZeneca për shkak të dyshimeve të ngjashme, u vendos që, pas provave të reja, të vazhdohej vaksinimi, raporton abcnews.al
Prandaj nuk është për t’u habitur që besueshmëria e vaksinës ka rënë në Gjermani. Ndoshta për këtë arsye, Kancelarja Merkel tha: “Kur të jetë radha ime, unë do të vaksinohem edhe me vaksinën AstraZeneca”.
Ajo madje shtoi se “është një fat i madh që ka vaksina të ndryshme në dispozicion për të gjithë”.
Për të gjithë ata që kanë marrë tashmë dozën e parë të vaksinës AstraZeneca, Komiteti ka njoftuar se do të publikojë një rekomandim të ri deri në fund të prillit. Pas një vendimi të përbashkët nga qeveria federale dhe landet, personat nën 60 vjeç që tashmë janë vaksinuar me dozën e parë të AstraZeneca mund të marrin dozën e dytë pasi të konsultohen me mjekun e tyre.
Sipas Institutit Epidemiologjik të Robert Koch, 2.7 milion njerëz kanë marrë dozën e parë të AstraZeneca dhe vetëm 767 njerëz kanë marrë dozën e dytë. Dje, Ministri i Shëndetësisë Jens Spann publikoi të dhënat e fundit të përgjithshme mbi progresin e vaksinimeve në Gjermani.
Në një postim në Twitter, ministri gjerman vuri në dukje se 11% e gjermanëve janë vaksinuar me një dozë.
Kjo përqindje korrespondon me mbi 9.2 milion qytetarë. Doza e dytë është marrë nga pothuajse 4 milion njerëz në Gjermani. Gati 10 milion janë vaksinuar BioNTech-Pfizer, 2.7 milion me AstraZeneca dhe 600,000 me Moderna./abcnews.al